“Po të Due Unë”, poezia fituese në “Kultstrofa 2”

“Po të Due Unë”, poezia fituese në “Kultstrofa 2”

09 shkurt 2018 16:31

“Po të due unë”, poezi kjo nga poetja Arjola Zadrima fitoi vendin e parë në edicionin e dytë të konkursit letrar, “Kultstrofa”, që u mbajt mbrëmë në “Hamam Bar”.

Zadrima nuk ishte e pranishme në këtë ngjarje, meqë kryetarja e jurisë, Erenestina Gjergji Halili, tha se ajo po përballet për momentin me një problem të madh personal, duke mos specifikuar më shumë. Por, sa i përket poezisë fituese, Gjergji – Halili pohoi se nëse kishte ndonjë poezi për të cilën juria ishte 100 për qind dakord, pa asnjë debat, ishte pikërisht poezia e Arjolës.

Ndërkaq, poezia “U dogj filmi” nga Adem Gashi u radhit në vendin e dytë, gjersa ajo me titull “Vdekje e bardhë” e Sibel Halimit, në vendin e tretë, transmeton emisioni Express në KTV.

Njëra nga finalistet, Sibel Halimi, e quajti këtë pjesëmarrje ‘sfidë të rëndësishme”, meqë zakonisht nuk prezantohet shumë nëpër ngjarje të tilla, pasi poezia është shumë personale dhe atë e ndanë vetëm me miq.

Nga 150 poezi, sa kanë konkurruar për këtë edicion të dytë, vetëm 10 prej tyre ishin përzgjedhur për këtë mbrëmje finale. Pjesëmarrësit ishin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora.

Sipas organizatorëve, kjo ngjarje është në rrugën e duhur dhe po dëshmohet se poezia po lexohet.

Emin Emini, Shkumbin Haxha, Sibel Halimi, Adem Gashi, Brikenë Ceraja Beka, Arlinda Guma, Manjola Brahaj, Liridon Mulaj, Erlind Sulko dhe Arjola Zadrima ishin dhjetëshja finaliste e “Kultstrofa 2”.

Organizatori Ares Shporta, deklaroi se hapësira e Kinemasë “Lumbardhi” muajve në vazhdim do të jetë arenë e koncerteve të shumta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme