Mijëra dokumente të Reuf Fico pasurojnë Arkivin e Shtetit shqiptar

Mijëra dokumente të Reuf Fico pasurojnë Arkivin e Shtetit shqiptar

09 shkurt 2018 15:22

Tiranë, 9 shkurt – Mbi 1300 fletë dorëshkrime mbi 2200 fletë shtypshkrime, 358 fletë gazeta, 28 fletë harta, certifikata familjare,dëshmi deputeti, dëftesë shkolle,licencë avokatie, karta postare, fotografi të Reuf Fico me vlera unikale për trashëgiminë historike dhe politike të periudhës pas pavarësisë dhe në hapat e para të krijimit të shtetit iu dhuruan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Këto dokumente origjinale i përkasin jetës dhe veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të Reuf Fico, të cilat u dhuruan nga mbesa e Fico, Nahlel Fico në ceremoninë e zhvilluar sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave .

Reuf Fico ka qenë në disa poste drejtuese si ish-këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Ismail Qemalit, ish ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1921, ish Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet 1929-1931, ish ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1933–1936, ish ambasador në Greqi në vitin 1937 dhe ish ambasador në Gjermani në vitet 1938-1939.

Ardit Bido gjatë ceremonisë u shpreh se “kemi kënaqësinë dhe nderin e veçantë që sot pranojmë një dhurim të paçmuar në trashëgiminë tonë kulturore, dokumentacionin e një prej personaliteteve më të rëndësishme të viteve 30-të të këtij vendi të Reuf Fico. Është një dhurim nga mbesa e Fico Nahlel Fico dhe nga familjarët e tij, që do të mund që për pak kohë pasi të përpunohet të shërbehen dhe të aksesueshëm për publikun”.

Ai bëri thirrje të gjithë atyre që kanë dokumente origjinale të personaliteteve të mëdha të këtij vendi në shtëpitë e tyre, që ti dorëzojnë në Arkivin Qendror të Shtetit ku do të ruhen në kushtet teknike dhe profesionale që garanton që ky dokumentacion do të mund ti mbijetoj kohës.

Ai tha se ky dokumentacioni do të mund të jetë lënda e parë për studiuesit në mënyrë që këto figura të ndritura të mundet që të studiohen në dinamikën e tyre të vërtetë dhe në madhështinë e tyre të vërtetë.

Së dyti, për figura të tilla mëdha si Reuf Fico, mbi të cilët janë shkruar shumë pak, tha Bido, është shumë e rëndësishme që mund të hidhet drita mbi bazë të dorëshkrimeve, korrespondencës tyre, të të gjithë dokumentacionit arkivor të cilët ata kanë lënë si memorje të tyre të pa çmueshme . Këto materiale për shumë pak kohë do të jenë të aksesueshme për publikun”.

“ Dhurimi i këtyre dokumenteve ishte një amanet shpirtëror i të gjithë atyre njerëzve që nuk jetojnë më. Ka shumë për të parë, ka shumë për të studiuar, ka shumë gjëra dhe shumë fakte që flasin për gjyshin tim. E rëndësishme është që bota e ka vlerësuar, dhe tani është momenti që ta vlerësojmë ne historinë e tij, kontributin që ka dhënë”, u shpreh mbesa e Ficos, Nahlel Fico.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme