Kulturë

“Qeramikë” me art shkrin kufijtë e politikës midis Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë, 9 shkurt - Figura të ndryshme prej qeramike e materialeve të tjera janë shpërndarë në të katër anët e galerisë. Shumica e tyre në miniaturë, shpërfaqin pikëpamje të ndryshme të artistëve.

Veprat e skulptorëve nga Shqipëria, Sadik Spahija e Merita Selimi, si dhe të atyre nga Kosova, Laura Sllamniku - Kryeziu, Veli Blakçori e Blerta Surroi, të gjitha skulptura, formojnë një mozaik formash. Ekspozita “Qeramikë”, e hapur të enjten në galerinë “Monet” në Prishtinë, është shitëse. Bashkëthemeluesit e galerisë, Blerta Surroi dhe Veli Blakçori, kanë për synim që sivjet të ngjallin një frymë bashkëpunimi midis artistëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Figurat e skulptorit të njohur shqiptar Sadik Spahia qëndrojnë përballë atyre të Veli Blakçorit e qeramikave të Blerta Surroit. Në mënyrë që të jenë sa më afër artdashësve, organizatorët kanë vendosur që çmimet të fillojnë nga 10 euro e më lart.

“Kjo është ekspozita e parë e këtij viti. Insistimi dhe synimi ynë gjatë këtij viti janë që sa më shumë të kemi bashkëpunim me Shqipërinë dhe të hapim shtigje të reja nëpërmjet artit, pasi politika po mbyll shtigje”, ka thënë Veli Blakçori. Ka përmendur edhe deklaratën e ish-kryeministrit të Shqipërisë, aktualisht ministër i Diasporës, Pandeli Majko, i cili kishte thënë se bizneset nuk duan hapjen e kufijve midis dy shteteve. Blakçori ka thënë se qeramika shpesh kuptohet si nocion industrial, por në të vërtete është element i zanafillës së artit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}