Kulturë

“Përgjithmonë ujk” përcjell te fëmijët mesazhin e miqësisë

Marrëdhënia ndërnjerëzore është mesazhi kryesor që shfaqja “Përgjithmonë ujk” mëton ta përçojë. Po ashtu, edhe aftësia për të pranuan tjetrin ashtu siç është. Në këtë rast miqësia paraqitet mes dy kafshëve që në realitet njëri është grabitqari e tjetri viktima e tij. Ujku dhe delja krijojnë miqësi mes vete në rrethana jo fort të zakonshme.

Ujku i uritur dhe delja e pafajshme, e cila nuk i kupton fillimisht qëllimet e tij, pranojnë të nisen në një udhëtim me saja nëpër borë. Ajo beson tek miku i vet, i cili kohë pas kohe tundohet nga afërsia që ka me delen dhe mendohet që ta hajë. Por në aktin e dytë të shfaqjes ai thotë se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë dhe se do të bëhet vegjetarian, shkruan sot Koha Ditore.

Në këtë rast ujku, si kafshë e egër e grabitqare rrëzon paragjykimin se në fund ai do të përfundojë duke e ngrënë delen. Delja ka rolin e personazhit që nuk e paragjykon tjetrin dhe beson në shoqëri, ndërsa ujku me veprimet e tij vetëm sa ia vërteton këtë.

Ani pse kjo është shfaqje për fëmijë, nuk vjen në skenë me kukulla, por përmes aktorëve që dalin në skenë. Avni Hoti luan rolin e ujkut, Roza Berisha atë të deles, ndërsa Avdi Azemi atë të bukëpjekësit, i cili krijon këto dy personazhe me librin e tij magjik dhe përbërësit sekretë.

“Përgjithmonë ujk” u dha premierë të enjten në “Dodonë”.

Regjisori shkodran Ilir Dragovoja që ka marrë përsipër inskenimin e “Përgjithmonë ujk” ka thënë se ka prekur shpeshherë publikun e fëmijëve, sepse punon me ta (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.