Kulturë

Qendra Kinematografike me Këshill të ri Drejtues e në pritje të drejtorit

Prishtinë, 8 shkurt - Më shumë se një muaj para se t’i skadojë mandati këshillit paraprak – në kohën kur po zhvillohen procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës – ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, ka emëruar këshill të ri drejtues në këtë institucion. Vetëm regjisori Yll Çitaku ka mbetur brenda strukturës së re, që ka në përbërje Luan Dakën, regjisor, Ilire Vincën e Nëntor Fetiun, aktorë, dhe Brikena Mulliqin, përfaqësuese e MKRS-së.

Vendimi për emërimin e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës përcakton mandatin trevjeçar të tij.

Ndërkohë brenda Ministrisë së Kulturës janë duke u zhvilluar procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ish-drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, i ka skaduar mandati më 31 janar. Gjithsej dhjetë kandidatë i janë përgjigjur konkursit publik të shpallur nga Ministria e Kulturës, të hapur pas konkursit të brendshëm që u shoqërua me reagime. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit është emëruar Virgjina Peja, financiere në QKK (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).