“Luftë dhe paqe” me artin e reporterit të luftërave gjatë viteve ‘90

“Luftë dhe paqe” me artin e reporterit të luftërave gjatë viteve ‘90

07 shkurt 2018 14:00

Reporteri i luftës, i cili mbuloi konfliktet më të ashpra të viteve ’90, eksperiencën e tij e ka rrëfyer përmes pikturave.

Veprat e tij tani mund të shihen në “Surrey Heath Museum” në Konall Road në Camberley të Anglisë. Kevin Weaver ishte aty kur u rrëzua Muri i Berlinit, gjatë Revolucionit Rumun, Revolucionit të Kadifenjtë në Çekosllovaki dhe mbuloi luftërat në Kroaci e në Bosnje. Ekspozita e tij, që tashmë është hapur në “Surrey Heath Museum” ku do të qëndrojnë deri më 16 të muajit mars, titullohet “War & Peace” (Luftë dhe paqe), me veprat e artistit të luftës dhe piktorit të peizazhit Kevin Weaver”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e The Villager.

Waver, po ashtu, mbuloi gjenocidin në Ruandë dhe eksodin e Hutus në Zaire, si dhe konfliktin e Serbisë me Kosovën dhe bombardimet e NATO-s, derisa punonte si fotograf dhe gazetar i lirë për mediat e njohura si “The Independent”, “The Guardian”, “The New Statesman” dhe për “BBC radio” në mesin e shumë të tjerave.

Weaver tani si artist jeton dhe punon në Ennerdale, në bregun perëndimor të Cumbrias në Angli, pasi që vuan nga çrregullimi post-traumatik, për shkak se gjatë qëndrimit të tij në Bosnje, kur po mbulonte luftën, në vitin 1992 u qëllua me armë. Ankthet dhe fotografitë i shfrytëzon si pika fillestare për pikturat e tij në vaj, dyllë dhe silikon dhe po ashtu për instilacionet me ndriçim të objekteve, siç janë paratë jugosllave, akrepat e gaforret të ngulitura në material të fortë ngjitës.

Weaver, po ashtu, pikturon peizazhe impresionuese të vendeve të ndryshme në Britani të Madhe, përfshirë Dufmires dhe Galloway, Norfolk dhe Cornwall. Gjatë ekspozitës “War & Peace” do të jetë edhe një “Muri i paqes” i këtyre peizazheve, si kontrast i imazheve të luftës. Ekspozita, po ashtu, paraqet një mur të fotografive bardhezi nga konfliktet që Weaver i ka mbuluar dhe artikuj të ndryshëm, duke përfshirë plumbin me të cilin ai është qëlluar, xhaketën e tij dhe kartat identifikuese të mediave.

100-vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore shënohet në fund të këtij viti. “Surrey Heath Museum” do hap “The Battles of First War” – një ekspozitë që shikon çdo vit numrin e të vdekurve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mësimet e nxjerra nga çdo betejë derisa luftës po i vinte fundi.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme