Kulturë

Marsi - afati i radhës për rritje pagash në institucionet e kulturës

Marsi është caktuar si afati i radhës për rritjen e pagave të punonjësve të institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministria e Kulturës ka shkelur afatin që ishte caktuar me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku në bazë të një marrëveshjeje verbale ishte përcaktuar që pagat të rriteshin qysh në shkurt. Por tek në fund të muajit të kaluar MKRS-së i është miratuar në Qeveri Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve, që i hap rrugë plotësimit të Rregullores ku do të bazohet rritja e pagave.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ismet Azemi, i cili kishte arritur marrëveshje me MKRS-në në tetor të vitit të kaluar, ka thënë se ende nuk është realizuar ajo.

“Jemi në punë e sipër për të përfunduar Rregulloren që rregullon edhe marrëveshjen tonë. Shpresojmë shumë që muajin e ardhshëm të implementohet marrëveshja jonë me ministrin e Kulturës”, ka thënë Azemi, i cili ka kujtuar se megjithatë pagën e janarit e ka marrë me rritje prej 4 për qind, ashtu sikurse të gjithë punonjësit në institucionet e shtetit.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se janë njoftuar nga MKRS-ja se nga marsi pagat do të jepen me rritje... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)