Goethe la gjurmët e tij edhe në kulturën shqiptare

Goethe la gjurmët e tij edhe në kulturën shqiptare

06 shkurt 2018 09:54

Krijimtaria e shkrimtarit e filozofit të madh gjerman, Johann Wolfgang von Goethe, e cila shtrihet midis shekullit XVIII dhe XIX, kaherë kishte ndikim edhe në kulturën shqiptare. Pos që disa prej veprave të tij janë përkthyer në gjuhën shqipe, Goethe nëpërmjet krijimtarisë të tij ka arritur të ndikojë edhe në veprat e shkrimtarëve shqiptarë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë konstatim ka ardhur studiuesja e profesoresha e letërsisë gjermane Albulena Blakaj. Monografia “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, që është promovuar të hënën në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, është e para e këtij lloji që shoshit ndërlidhjen midis Goethes dhe kulturës shqiptare. Kërkim mbi gjurmët e Goethes në letërsinë dhe kulturën shqiptare, kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale që argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptarë për veprën kolosale të autorit gjerman, receptimi, adhurimi dhe ndikimi i të cilit në kulturën shqipe vjen bashkë me konsolidimin estetik të saj, është përshkrimi që i është bërë librit të Blakajt.

Për librin e botuar nga shtëpia botuese “OM”, ka folur shkrimtari e studiuesi Gëzim Aliu. Sipas tij, Blakaj mendon se nëse Goethe ka ndikuar te të gjithë popujt evropianë, ka ndikuar edhe te autorët shqiptarë.

Studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se libri i Blakajt është një studim që ballafaqon një shkrimtar të madh me kulturën shqiptare, duke shtuar kontributin në shkencën e studimeve mbi Goethen dhe duke e lartësuar kulturën shqiptare, e cila ishte mjaft mikpritëse, madje shpesh adhurimtare ndaj shkrimtarit gjerman... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme