Kulturë

Vdiq Dennis Edwards, frontmeni i bendit të njohur

Dennis Edwards, i cili u bë frontmeni i bendit “Temptations” në vitin 1968, teksa grupi përqafoi funk-un psikodelik dhe mori çmim “Grammy” për këngët “Papa Was a Rollin’ Stone” dhe “Cloud Nine”, ka vdekur. Ai ishte 74-vjeçar. Edwards ka qenë pjesë e grupit deri në vitin 1977 dhe më pas iu ribashkua për ritakime të ndryshme në vitet ’80. Zëri i tij ishte prezent edhe në hitet e tjera si “I Can’t Get Next to You” e “Ball of Confusion”. Vdekjen e ka konfirmuar familja e tij për “CBS News”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e medieve të huaja.

Gruaja e Edwards, Brenda, ka thënë se këngëtari, i cili jetonte në Missouri, vdiq në spitalin e Chicagos pas komplikimeve që pati me meningjitin. Ai ishte diagnostikuar me këtë sëmundje në majin e vitit 2017.

“Me të vërtetë më pikëllon fakti se edhe një tjetër ushtar i ‘Motown’ shkoi. Pusho në paqe vëlla. Ishe talent i madh”, ka thënë Smokey Robinson për “Rolling Stone”.

Edwards u lind më 3 shkurt të vitit 1943 në Fairfield të Alabamas dhe u rrit në Detroit. Ai këndoi në grupe të muzikës gospel si adoleshent dhe studioi në Konservatorin e Muzikës në Detroit, para se të futej në ujërat e muzikës në mënyrë profesionale. Ai ka qenë pjesë e artistëve të “Motown Contours” në pjesën e parë të viteve ’60. Ansambli më së shumti njihej për këngën e vitit 1962 “Do You Love Me”, të cilën e lansoi para se ai të ishte anëtar i tyre.

Ai iu bashkua “Temptations” në vitin 1968, kur grupi largoi David Ruffin, dhe u solli një gjallëri të freskët me zërin e tij; zëri i tij ishte pak i vrazhdë për të zëvendësuar falseton e butë të Ruffin. Kuinteti më shumë përshtati ritme të muzikës blues, soul-rock dhe anëtarët e tij nisën të shkruajnë tekste që trajtonin më shumë çështje sociale të kohës, kështu duke realizuar hitin “Cloud Nine”. Formacioni i “Temptation” me Edwards shijoi zotërimin e rangimit në top lista të R&B dhe pop, për disa vite, duke shënuar suksese të mëdha gjithandej me hitet “Run Away Child, Running Wild”, “Don’t Let the Joneses Get You Down”, “Psychedelic Shack” dhe “Ball of Confusion (That's What the World Is Today)".

Grupi u nda në vitin 1976 nga shtëpia diskografike “Motown” për të realizuar më pas albumin “The Temptations Do the Temptations”, ku gjatë asaj kohe Edwards la kuintetin. U rikthye për disa vite gjatë të tetëdhjetave kur bendi u rikthye me “Motown”, dhe përsëri krijuan një hit për ato kohë, “Power”.

Edwards e la bendin në vitin 1983, por i rikthyer më 1986 për një vit, mjaftueshëm për të incizuar “To Be Continued”. Ai do të bashkohej përsëri për koncertin për herë të fundit më 1987, dhe qëndroi deri më 1989.

Jashtë “Temptations”, Edwards lansoi disa solo albume dhe krijoi hit me “Don’t Look Any Further”, duet me Siedah Garrett, i cili arriti në numër 72 në top lista të muzikës pop dhe numër 2 në top listat muzikës R&B. Kënga më pas u bë si material për shkollën e re të hip-hopit, e paraqitur si shembull në këngën “Paid in Full” të Eric B. Dhe Rakim, e më pas edhe në hitin “Em UP” të 2Pac dhe “Get Money” të Junior M.A.F.I.A. Albumi i tij i fundit “Talk to Me”, i realizuar në vitin 1993, u përcoll me “Temptations Greatest Hits Live” në vitin 1995.

Në fundin e viteve ’80, Edwards u bashkua me Ruffin dhe Eddie Kendricks të “Temptation” për turneun që i kushtohej bendit të tyre. Edwars në vitin 1989 mori yllin në “Rock and Roll Hall of Fame”. Në vitin 2013, po ashtu, mori çmimin për arritje jetësore në “Grammy”, që iu nda “Temptations”.