Hazardous artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Hazardous artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës

03 shkurt 2018 10:01

Derisa këtyre ditëve ne jemi barrikaduar nëpër shtëpitë e banesat tona si rezultat i ajrit të ndotur në qytet, e ndërkohë që, paralelisht, vazhdojmë të merremi me tema të mëdha politike, mbi demarkacionin e Gjykatën Speciale, mbi AKS-në dhe kushtetutshmërinë e themelimit të saj, përballë ndërtesës së Qeverisë, te Teatri Kombëtar i Kosovës po ndodh një dramë tjetër. Gati po aq e rrezikshme sesa ajo e ajrit të ndotur mbi Prishtinë, por e cila, është duke kaluar në heshtje, pa bujë dhe disi përvjedhurazi, shkruan sot Jeton Neziraj në "Koha Ditore".

Për çka bëhet fjalë, në të vërtetë! Bëhet fjalë për një përpjekje për censurë artistike, duke përdorur mjete të shantazhit e manipulimit. Nga kush? Nga disa bashibozukë që tash së voni janë vënë në Këshillin Drejtues të TKK-së dhe nga shefat e tyre politikë.

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës për sezonin 2018 ka planifikuar të vërë në skenë, ndër të tjera, edhe një dramë të Veton Surroit. Këshilli Drejtues i TKK-së është alarmuar nga kjo ide dhe ka ndezur motorët partiakë për ta pamundësuar një gjë të tillë. Ne mund të spekulojmë për motivet e këtij hovi censurues, por ato para së gjithash duhet kërkuar te zelli i këtyre bashibozukëve të Këshillit Drejtues (me pak respekt për një a dy prej tyre), për t’ua bërë qefin shefave të tyre politikë. Pra, këta bashibozukë janë bërë të zellshëm “për të evituar një të keqe” që sikur të ndodhte, do t’i kishte hidhëruar shefat e tyre politikë. Për ta, nuk ka fare rëndësi drama e Surroit si e tillë, i rëndësishëm, është emri i autorit, i cili, siç janë të bindur ata, nuk duhet të zërë vend në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilin ata tash e kontrollojnë - ose duan ta kontrollojnë. Këta partizanë të zellshëm vinë prej profileve të ndryshme, dhe ma thotë mendja, asnjëri nuk ka asgjë personale me Surroin dhe as me dramën (tek e fundit, ata as që janë të thirrur të gjykojnë për vlerat ose jo të dramës, e dyshoj edhe ta kenë lexuar). Por ata kanë problem me Surroin politik e me Surroin publik. Këtu është edhe pengesa, dhe prandaj alarmet e partisë janë ndezur, duke sinjalizuar rrezikun që mund të vijë. Bashibozukët e zellshëm të partisë fiqirojnë sipas modelit “drama e armikut të shefave tanë politikë, është armike e shtetit dhe ajo duhet të pamundësohet të jepet në TKK”. Kështu disi. Çdo dramë tjetër bën, por jo e Surroit. Çdo autor tjetër bën, por jo Surroi.

Por do të ishte e padrejtë që krejt faji për këtë veprim të tyre prej partizanësh axhami t’ua linim mbi supe vetëm atyre. Sepse, ndoshta, një grimë faji duhet kërkuar edhe pak më sipër, te shefat e tyre të Ministrisë së Kulturës, respektivisht te ministri i Kulturës? Them se po. Sepse, këta fakirë servilë të politikës zor se do ta kishin mbrojtur me kaq zell e me këmbëngulje një veprim kaq diskreditues, sikur edhe të mos kishin mbështetje prej ‘sipri’.

Që të jem më preciz (dhe edhe më serioz): veprimi i tyre është antiligjor, është përtej mandatit të tyre dhe është jashtë kompetencave të tyre. Ata kanë votuar një repertor ilegalisht, duke e cenuar Ligjin për teatër, dhe për këtë do të japin llogari (herët a vonë). Në fakt, llogari duhet të japë Ministria e Kulturës nëse e lejon një miratim të këtillë të repertorit, i cili po bëhet pa vullnetin e drejtorit Artistik dhe pa vullnetin e drejtorit të Përgjithshëm. Po bëhet ilegalisht dhe kjo duhet të bëhet e qartë, sepse qartë e jep edhe ligji mënyrën e përpilimit të repertorit dhe të miratimit të tij. Ky këshill bashibozukësh më me dëshirë do ta kishin larguar menjëherë nga puna menaxhmentin e TKK-së, por ngaqë kjo punë edhe kërkon pak kaçik, ata tani po i shfrytëzojnë opsionet e tjera, për ta sabotuar punën e TKK-së, për të miratuar repertorin jashtë vullnetit të menaxhmentit të TKK-së e për ta shkatërruar edhe atë progres që është arritur me kaq mund në TKK këto vitet e fundit. Pra, ata duan të shohin sa më shumë ‘zi’ në atë teatër, në mënyrë që pastaj të ngërdheshen dhe të thonë “e shihni, çka i bënë teatrit këta, ne tani do ta bëjmë si duhet”.

Është vërtet i pashpjegueshëm zelli shkatërrimtar i disave aty në atë këshill, aq më tepër që, ta hajë dreqi, edhe kanë kryer nga një grimë shkollë teatri apo kanë punuar në teatër. Sepse, sa për këta burokratët që aty i ka dërguar ministri e nuk kanë pasur zgjedhje apo që aty janë për ato 200 euro në muaj që marrin, prej tyre, zor se priten vendime të dinjitetshme dhe në të mirë të atij teatri. Jo, ata janë aty për të mos lejuar të punojnë armiqtë e partisë dhe të pushtetit, dhe me kaq, misionin e tyre ata e konsiderojnë të mbaruar.

Ndërkohë, si pjesë e kësaj beteje të këtij këshilli për ta devalvuar punën e TKK-së, në media këtyre ditëve kemi parë një lum fjalish të çoroditura raciste për “sllavizim të Teatrit Kombëtar” e këso marrinash të tjera fashiste. Vinë nga tipa e tipesha që vite më parë turfullonin kundër shkuarjes së shfaqjeve të TKK-së në Beograd, por pastaj, pa kaluar shumë vite, në rastin e parë, shkuan vetë me projektet e tyre. Kaq për moralin e tyre patriotik. Kaq për dinjitetin e tyre artistik.

Dhe kështu, ndërkohë që po helmohemi me ajrin e ndotur në Prishtinë, një grup bashibozukësh, si nëpër tym e mjegull, po e luajnë atë lojën e pistë politike “ky me ne, ky kundër nesh”, “këtë e do shefi, këtë nuk e do shefi”. Dhe kjo lojë e tyre, për aq sa do t’i faturohet ministrit të Kulturës, po aq do t’u faturohet edhe vetë këtyre që janë në atë këshill. Si një dëshmi që edhe kur s’kanë qenë fort të detyruar, ata vullnetarisht e kanë luajtur bukur dhe bindshëm lojën prej servilësh dhe fakirësh të partisë. Këta janë ushtria e milingonave pa dije e pa kurriz që kjo shoqëri po krijon, me shpejtësi dhe me kapacitete të plota. Këta janë hazardous-i artistik.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme