Kulturë

Datat kyçe të Luftës së Dytë Botërore

Moskë, 2 shkurt – Rusia përkujton sot 75-vjetorin e fitores sovjetike në Betejën e Stalingradit, një kthesë e rëndësishme e Luftës së Dytë Botërore dhe simbol i rikthimit të krenarisë dhe patriotizmit rus.

E konsideruar si një nga më të përgjakshmet e historisë, ku vdiqën rreth dy milionë ushtarë dhe civilë, me humbje të konsiderueshme në të dyja kampet, kjo betejë ndryshoi rrjedhën e konfliktit në Bashkimin Sovjetik, i prekur deri atëherë nga disa disfata të dhimbshme.

Kjo periudhë përkujtohet me nderim nga rusët si ngjarja që shpëtoi Evropën nga nazizmi.

Më poshtë vijojnë datat kyçe të Luftës së Dytë Botërore, konflikt që, sipas historianëve, shkaktoi 40-60 milionë viktima, gjysma e të cilave civilë.

– 1 shtator 1939 – GJERMANIA FILLON PUSHTIMIN E POLONISË.

— 3 shtator 1939 – Franca dhe Britania e Madhe i shpallin luftë Gjermanisë.

– 10 maj 1940 – BETEJA E FRANCËS. Pasi kishte pushtuar Danimarkën dhe Norvegjinë, Hitleri fillon ofensivën kundër Belgjikës, Holandës, Luksemburgut dhe Francës. Italia i shpall luftë Francës më 10 qershor. Wehrmachti hyn në Paris më 14 qershor.

– 17 qershor 1940 – FRANCA KËRKON ARMËPUSHIM. Mareshali Philippe Pétain kërkon pushimin e luftimeve. Më 18 qershor, gjenerali de Gaulle bën thirrje për rezistencë. Armëpushimi nënshkruhet më 22 qershor. Gjysma e veriut të Francës është e pushtuar.

– Korrik 1940-maj 1941 – BETEJA E ANGLISË. Ofensivë e Luftwaffes.

– 22 qershor 1941 – OPERACIONI BARBAROSA. Gjermania hap frontin e lindjes dhe sulmon BRSS-në. Pas shumë sukseseve, Wehrmachti ndalon në portat e Moskës si pasojë e kundërofensivës sovjetike. Rrethimi i Leningradit vazhdon 900 ditë.

– 7 dhjetor 1941 – PEARL HARBOUR. Në Hawai, forcat ajrore japoneze sulmojnë papritur bazën kryesore amerikane në Paqësor. SHBA hyn në luftë dhe konflikti konsiderohet botëror.

– 20 janar 1942 – SHFAROSJA E HEBRENJVE. Konferenca e Wannsee vendos ”zgjidhjen finale” për eliminimin sistematik të hebrenjve. Gjashtë milionë hebrenj dhe pesë milionë të deportuar politikë gjejnë vdekjen në kampet e përqëndrimit.

– 2 shkurt 1943 – BETEJA E STALINGRADIT, pikë kthese e luftës. Mbi 100 000 trupa naziste kapen rob dhe burgosen.

– 6 qershor 1944 – OPERACIONI OVERLORD. Hapja e Frontit të Perëndimit. Më shumë se 156 000 ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadezë kalojnë La Mnashin dhe zbarkojnë në plazhet e Normandisë.

xc– 8 maj 1945 – RËNIA E RAJHUT III. Gjermania naziste kapitullon pak ditë pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe marrjes së Berlinit nga Ushtria e Kuqe.

– 2 shtator 1945 – KAPITULLIMI I JAPONISË. Më pak se një muaj pas bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, Japonia kapitullon duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore