Kulturë

Zhvendoset NEWBORN-i, autoritetet kujdesen për kallëzim penal

Descriptive Text

Prishtinë, 2 shkurt - Shkronjat që formojnë monumentin NEWBORN janë zhvendosur të enjten. Do të rikthehen një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kur, ashtu sikurse shteti, do të festojë ditëlindjen e dhjetë. Strehë e përkohshme e tyre është bërë një kompani – ku do të gërryhen në kuadër të procesit të mirëmbajtjes e pastrimit nga ndryshku i akumuluar tash e një dekadë – për t’u rikthyer me pamje të re më 16 shkurt. Ashtu siç ka marrë vesh gazeta, shkronjat do të jenë me ngjyra ari e argjendi e kësisoj do të shndrisin. Aty mund të jetë edhe 10-shi.

Por zhvendosja për t’u transformuar është bërë pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. NEWBORN-i është shpallur monument nën mbrojtjen e shtetit qysh prej tetorit të vitit 2015. Rasti ka shkuar edhe në Policinë e Kosovës. Përderisa për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ky është veprim i paautorizuar që bie ndesh me ligjin, për Ministrinë e Kulturës bëhet fjalë për kapërcim procedural pasi çështja është tek një monument i veçantë e dinamik. E në anën tjetër, autori i obeliskut, Fisnik Ismaili, ka thënë se është detyruar të veprojë kësisoj shkaku i afrimit të festës e kushteve meteorologjike në ditët që vijnë dhe se krejt situata rrjedh nga mosmarrëveshjet.

NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të ndërkombëtar për publicitet në Cannes (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}