Kulturë

EC Ma Ndryshe: Sërish ndërtim pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore si dhe lejes ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon, njofton OJQ EC Ma Ndryshe, transmeton Koha.net.

Rasti i ri, sipas autoriteteve lokale ka ndodhur në rrugën “Bujtina”.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti në fjalë ka leje për ndërtim në etazhitet B+P+1, e cila sipas Inspektoratit të Komunës së Prizrenit nuk është respektuar dhe është tejkaluar. Lidhur me këtë rast Inspektorati ka pohuar se ka reaguar, duke ndërmarrë masën e ndalimit të punimeve dhe inicimin e procedurave të mëtejme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EC i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë serioze dhe t’i zbatojnë në përpikëri të gjitha normat ligjore në këtë zonë të mbrojtur, ashtu që të ruhen dhe promovohen vlerat e saj.