Kosova dhe Shqipëria me kalendar të përbashkët kulturor

Kosova dhe Shqipëria me kalendar të përbashkët kulturor

31 janar 2018 15:43

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, ka takuar homologen e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro, me të cilën ka diskutuar për fushat në të cilat dy ministritë mund të bashkëpunojnë, ndërsa u bë e ditur se qysh në muajin shkurt do të dalin me kalendarin e përbashkët kulturor për vitin 2018.

Ministri Gashi tha se takimi i sotëm është i një rëndësie shumë të madhe, pasi së bashku me palën shqiptare kanë rënë dakord për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta kulturore.

Ai shprehu bindjen se institucionet kulturore të të dyja vendeve do të kenë komunikim të përhershëm, në mënyrë që të lehtësojnë zhvillimin e aktiviteteve.

“Biseduam për gjëra shumë të rëndësishme, duke përfshirë edhe kalendarin kulturor, pasurimin e këtij kalendari dhe përfshirjen e të gjitha institucioneve të kulturës të Shqipërisë dhe të Kosovës në aktivitete të përbashkëta. T'i ikim praktikës që institucionet e kulturës të vijnë dhe të kenë aktivitete në Shqipëri dhe anasjelltas. Aktivitetet e kulturës të jenë të përbashkëta në mes të institucioneve tona. Besoj se institucionet tona, drejtuesit e institucioneve, do të kenë komunikim të përhershëm në mënyrë që ne si politikë, si Ministri dhe si Qeveri, ta kryejmë punën tonë, financimin e këtyre aktiviteteve dhe në të njëjtën kohë edhe mbulimin teknik, ndihmën teknike”, tha ai.

Ai bëri të ditur se ka kërkuar nga ministrja e Shqipërisë që për nder të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë të Kosovës, disa nga veglat e Isa Boletinit të zhvendosen përkohësisht në Kosovë, të cilat aktualisht ndodhen në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë.

“Një kërkesë tjetër që ia adresova ministres, ekzistojnë 6 objekte në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, objekte të Isa Boletinit, përfshirë xhamadanin, orën dhe disa vegla tjera, ku kërkova që këto të na sjellin përkohësisht në Kosovë, t'i kemi në ekspozitën e përhershme të cilën jemi duke e përgatitur për ta hapur më 17 shkurt”, theksoi Gashi.

Në këtë takim është biseduar edhe për ligjin e sponzorizimit dhe të drejtat e autorit. Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro tha se sot është ngritur një kantier të madh, i cili do të detajohet ditëve në vijim.

“Është në fakt një kantier shumë i madh që ne kemi ngritur sot, i cili do të detajohet pa dyshim nga institucionet tona të bashkësisë, që janë teatrot kombëtare, institutet e monumenteve të kulturës, për të mbërritur që brenda muajit shkurt të kemi një kalendar të përbashkët me aksione dhe ngjarje konkrete”, u shpreh ajo.

Ndryshe, kjo ishte vizita e parë zyrtare e ministrit të Kulturës Kujtim Gashi në Tiranë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme