Iu dha lamtumira e fundit profesorit e linguistit Gani Hoxha

Iu dha lamtumira e fundit profesorit e linguistit Gani Hoxha

31 janar 2018 13:16

Prishtinë, 31 janar – Si pedagog i zellshëm e studiues i zoti është kujtuar profesori i gjuhës italiane e studiuesi Gani Hoxha. Kolegët e tij në akademinë përkujtimore të mbajtur të martën në Prishtinë, kur edhe është varrosur, kanë folur në superlativ për të. Ishte profesori i parë i italishtes në Universitetin e Prishtinës. Linguisti ka vdekur më 14 të këtij muaji në Londër. Ai ishte 82 vjeç. Për katër dekada ligjëroi në Fakultetin e Filologjisë si mësimdhënës i gjuhës italiane. Veprimtaria e tij përmblidhet në vepra për këtë gjuhë, fjalorë e përkthime.

Myrvete Badivuku, prorektore për buxhet dhe financa në Universitetin e Prishtinës, në akademinë e organizuar nga Fakulteti i Filologjisë, ka thënë se UP-ja ka humbur njërin prej profesorëve më punëtor. Sipas saj, angazhimi i Hoxhës dhe i kolegëve të tij kanë bërë që institucioni të avancojë.

Në emër të kolegëve të Hoxhës ka folur ish-dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi. Ai ka thënë se është krenari të flasësh për një personalitet siç është profesori Gani Hoxha.

Kuçi, duke ia rikujtuar biografinë e pasur, tregoi se Hoxha botoi librin “Bazat e gjuhës italiane”, më pas kishte botuar edhe veprat studimore si “Gjuha italiane në teori e praktikë”, “Metodë e gjuhës italiane” e “Gramatikë bisedore e italishtes”.

“Profesor Ganiu ka botuar fjalor të xhepit në italisht-shqip dhe shqip-italisht me rreth 25 mijë fjalë. U ndamë nga një profesor, pedagog e studiues shembullor e mbi të gjitha nga një njeri i mrekullueshëm”, ka thënë ai.

Në Varrezat e Prishtinës me një fjalë të ndjeshme nga Hoxha u nda gazetari Nehat Islami, i cili përmendi 14 vjet të punës së tij me përkushtim në Radio Prishtinën e atëhershme.

Në emër të familjes, Flora Hoxha, mbesa e Gani Hoxhës, ka falënderuar të pranishmit në akademinë e mbajtur në Fakultetin Filologjik për respektin dhe kujtimin e axhës së saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme