Në TKK u dha shfaqja mysafire nga Tirana “Rojat e Taxhit”

Në TKK u dha shfaqja mysafire nga Tirana “Rojat e Taxhit”

30 janar 2018 11:00

Prishtinë, 30 janar - Jo rastësisht Taxh Mahali konsiderohet si thesar i artit islam në Indi e një prej kryeveprave më të admiruara të trashëgimisë botërore. Historia e këtij objekti të mermertë paraqet dashurinë e perandorit Shah Jahan, i cili kishte kërkuar në Taxh Mahali mauzole për gruan e tij të preferuar Mumtaz Mahal. Por ajo që autori indiano-amerikan Rajiv Joseph sjell në dramën e tij “Rojat e Taxhit”, është gjithçka përveç histori dashurie.

Pas sukseseve që ka pasur ky tekst nëpër inskenime, nëpër teatro amerikane prej vitit 2015, kur është dhënë premiera, si i tillë u dha edhe për publikun shqiptar. Regjisori nga Shqipëria, Altin Basha, ka marrë përsipër realizimin e kësaj shfaqjeje me situata dramatike e tragjike. Përcillet edhe me shaka të lehta, të cilat në historinë që shtjellon marrin konotacionin e humorit të zi.

Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja kanë marrë përsipër sfidën që të realizojnë kërkesat e regjisorit, por edhe të vetë tekstit. Ata portretizojnë dy roja të Taxh Mahalit, të cilët flasin për ëndrrat, të bukurën dhe yjet në qiell.

Pasi që dritat fiken në skenë, kafazet ku rojat qëndrojnë me shpatë në duar largohen, e bashkë me to edhe perdja që shërbeu si hapësirë për t’u projektuar objekti i mermertë. Në vend të tyre zë vend makabra që ata kanë bërë: kanë prerë fiks 40 mijë duar. Çmenduria fillon këtu. Bëhet e qartë se ata janë bërë pre e një akti të tmerrshëm. Duar të prera në tërë skenën, spërkatje gjaku, mbushën skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës të dielën mbrëma, në shfaqjen mysafire nga “Bash-Art” dhe teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Soahuvogli” i Tiranës.

“Rojat e Taxhit”, e cila në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar pati premierën në Tiranë, u dha të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas një turneu që ka pasur edhe në qytete të tjera të Kosovës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme