Kulturë

Vdiq kitaristi Coco Schumann, maestroja i jazzit që i mbijetoi Holokaustit

Coco Schumann, muzikanti hebraik që bëri emër në skenën “underground” të jazzit në Berlin dhe në atë të stilit “swing” në vitet ‘30 e që më vonë qe detyruar t’i argëtonte rojat në kampe përqendrimi ku ishte mbajtur, ka vdekur të dielën në moshën 93-vjeçare. Lajmin e ka dhënë shtëpia diskografike “Trikont”, raportoi DW, transmeton sot “Koha Ditore”). Schumann, emri i vërtetë i të cilit ishte Heinz Jakob Schumann, ishte arrestuar më 1943, pasi që autoritetet kishin mësuar që e ëma e tij ishte hebraike.

Ai ishte deportuar në kampin e përqendrimit “Theresienstadt” në Çekosllovakinë e okupuar nga gjermanët, ku kishte interpretuar në një bend të njohur me emrin “Ghetto Swingers”. Ai ishte transferuar në Auschwitz më 1944, ku ishte detyruar të bënte muzikë për t’i argëtuar rojat dhe për t’i mirëpritur të ardhurit e rinj në kampin e përqendrimit.

I lindur më 1924, Schumann kishte nisur që herët të mësojë vetë për të interpretuar në kitarë dhe bateri. Si i ri, ai veçse kishte nisur të performonte me bende në lokalet e Berlinit dhe në klube vallëzimi. Njëherë kishte thënë se jazz-ikona Ella Fitzgerald e kishte inspiruar për vendimin që të bëhej muzikant. Pas luftës, Schumann e kishte lënë Evropën për të shkuar në Australi para se të kthehej në Berlin në mesin e vitit 1950, për të rinisur karrierën muzikore. Ai ishte një prej muzikantëve të parë gjermanë që luajtën në kitarë elektrike dhe kishte performuar me jazz-violinistin Helmut Zacharias e këngëtarin Bully Buhlan. Më 2012, biografia e Schumann me titull “The Ghetto Swinger” ishte përshtatur si mjuzikël dhe qe dhënë në Hamburg.

Schumann qe lindur në Berlin. I ati i tij Alfred ishte konvertuar në hebraik, ndërsa e ëma Hedwig née Rothholz, ishte hebraike e lindur. Ai u pasionua pas stilit të jazz performancave “swing”, pasi dëgjoi një të tillë gjatë Olimpiadës së Berlinit. Në “Theresienstadt” qe transportuar për të parën herë sa ishte 19-vjeçar. Pas luftës, ai ishte bërë jazz-kitarist i famshëm. Ka luajtur me Marlene Dietrich, Ella Fitzgerald dhe Helmut Zachrias, mes të tjerësh, para se ta themelonte kuartetin “Coco Schumann Quartett”.

Por që do të mbahet në mend se për herë të parë në Gjermani solli kitarën elektrike pas Luftës së Dytë Botërore, njashtu sikurse edhe për numrin e madh të koncerteve me kuartetin e tij, ai do të kujtohet edhe për muzikën e tij të magjishme e për rrëfimin tragjik jetësor.

“Kur luaja muzikë, i harroja të gjitha. Harroja yllin e verdhë që qepej në gjoks, muret e getos dhe urinë”, kishte thënë ai në një intervistë para një dekade.