“Talia e Flakës” u përmbyll me ndarje çmimesh

“Talia e Flakës” u përmbyll me ndarje çmimesh

29 janar 2018 12:06

Festivali i dramës kombëtare shqipe “Talia e Flakës”, që për pesë ditë u mbajt në Gjilan e dëshmoi se gjilanasit e duan teatrin dhe të gjitha ulëset e teatrit të qytetit ishin të mbushura plot me publik.

E një pjesë e madhe e adhuruesve të teatrit qëndruan në këmbë për të përcjellë shfaqjet e dhëna gjatë festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rreth 2 mijë e 500 veta është numri i atyre që ndoqën për pesë net shfaqjet e “Talia e Flakës”. Nga kritikët e teatrit, edicioni i 27-të i festivalit të dramës shqipe, u cilësua si edicion që nuk ka arritur pritshmëritë.

Juria vlerësuese në përbërje nga Ligoraq Riza, Emine Toska dhe Arian Krasniqi, ka ndarë edhe çmimet në këtë festival, ku për tekstin më të mirë origjinal të festivalit u shpërblye dramaturgu Naser Shatrolli, për tekstin e shfaqjes “Kosovatrans” të teatrit “Avdush Hasani”, nga Podujeva. Kurse çmimi për shfaqjen më të mirë të Festivalit iu nda shfaqjes “G”, të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me autor Gjergj Fishta, e punuar me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.

Çmimi për regjinë më të mirë të Festivalit iu nda regjisorit Sulejman Rushiti për shfaqjen teatrale “G”. Aktorja më e mirë e Festivalit u shpall Aurita Agushi për rolin e saj në monodramën “Portret i pakryer”, të Teatrit “Dodona”, ndërsa çmimin për aktorin më të mirë të festivalit e mori Ismet Azemi për rolin e tij në shfaqjen “Kosovatrans”.

Aktorja Vjollca Bekteshi u vlerësua për rolin më të mirë dytësor - nga shfaqja “G” - dhe aktori Avni Shkodra u vlerësua për rolin më të mirë dytësor – nga shfaqja “Një natë në hotel” e teatrit të Gjilanit. Dhe çmimin për skenografinë më të mirë e mori Zeni Ballazhi nga shfaqja “Kosovatrans” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme