“Edhe një tejkalim i lejes ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit”

“Edhe një tejkalim i lejes ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit”

26 janar 2018 13:46

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit nuk ka të ndalur. Rasti i fundit i kësaj natyre sipas autoriteteve ka ndodhur në fqinjësi të ndërtesës së Kryqit të Kuq, njofton kumtesa e OJQ-së EC Ma Ndryshe, transmeton Koha.net.

Sipas të dhënave nga Drejtoria komunale e Urbanizmit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, rasti në fjalë ka leje për ndërtim në etazhitet maksimal dy kate, e cila sipas autoriteteve lokale të trashëgimisë kulturore nuk është respektuar dhe është tejkaluar. Për më tepër, kjo strukturë duhet të respektojë integritetin e asetit të trashëgimisë që është e ngjitur me të.

EC Ma Ndryshe kohë më parë ka theksuar se objekti i Kryqit të Kuq ka vlerë historike, artistike, identiteti, peisazhore, ekonomike dhe funksionale, dhe se fakti që ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit i jep automatikisht statusin e objektit të mbrojtur me ligj.

EC përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit. Prandaj edhe njëherë e përsërit qëndrimin se është koha e fundit që organet shtetërore që kanë përgjegjësi të veprojnë në mënyrë serioze dhe më energjike për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme