Shyqri Gjurkaj e Naim Spahiu pjesë e ekspozitës “Monolog 3” në Suedi

Shyqri Gjurkaj e Naim Spahiu pjesë e ekspozitës “Monolog 3” në Suedi

25 janar 2018 23:40

Dy artistët shqiptarë, Naim Spahiu e Shyqri Gjurkaj janë pjesë e ekspozitën ndërkombëtare “Monolog 3” që është hapur në Vaksio të Suedisë.

Naim Spahiu ka ekspozuar “Notuesit e Kohës (Time Swmmers”, pikturë e formatit 100 x 70 centimetra, përderisa Gjurkaj ka ekspozuar “Gjurmë në kohë e hapësirë”.

Image

                             Notuesit e Kohës - Naim Spahiu

Gjurkaj për Koha.net ka deklaruar se kjo ekspozitë është rezultat i takimeve nëpër simpoziume të ndryshme, dhe ideja është që vazhdohet bashkëpunimi përtej këtyre simpoziumeve.

“Ekspozita është rezultat i takimeve nëpër simpoziume të ndryshme me artistë nga mbarë bota. Ideja është që të vazhdohet bashkëpunimi edhe pas simpoziumeve”, është shprehur Gjurkaj.

Image

                      Gjurmë në kohë e hapësirë - Shyqri Gjurkaj

Ai më tutje ka shtuar se kjo është ekspozitë mobile, që do të thotë se do të lëvizë në vende të ndryshme, e pas Suedisë këto vepra do të ekspozohen në Gjermani.

“Ekspozita është mobile, që do të thotë se do udhëtojë edhe në vendet e tjera prej nga vijnë artistët. Kjo është radha e tretë që është hapur, përderisa ekspozita e radhës do të hapet në Gjermani”, është shprehur ai.

Ai nuk ka përjashtuar që ekspozita të hapet edhe në Kosovë, por një pengesë e madhe sipas tij është transporti për shkak të doganave.

Përveç Gjurkajt e Spahiut në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë edhe artistë nga vende të ndryshme të botës, dhe ata janë: Hristina Zafirovska (Maqedoni), Igor Modriq (Kroaci), Andreas Pytlik (Gjermani), Jane Mikulajecz (Danimarkë), Kamer Batioglu (Turqi), Admir Mujkiq (Bosnje), Ola Gieraga (Poloni), Poul Brasch (Danimarkë), Anna Zadros (Poloni), Giorgio Piccaia (Itali), Sung Heum Kim (Koreja e Jugut).

Në konceptin e kësaj ekspozite të shkruar nga Anna Zadros dhe Ola Gieraga thuhet se artistët e njohin njëri-tjetrin në takimet momentale në punëtori apo projekte të artit.

“Çdo artist vjen në këto takime dhe na flet secili me një monolog të formës dhe shprehjes, por ajo që na bashkon është arti dhe pasioni për atë që bëjmë. Artistët frymëzohen nga diversiteti dhe individualiteti dhe rizbulojmë vetveten dhe ndjenjat që janë thelbi i artit tonë. Takimet tona të shkurtra ekzistojnë në ne përgjithmonë, në të kaluarën, të tashmën dhe të ardhmen. Një jehonë e pafund”, shkruajnë Zadros e Gieraga.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme