Kulturë

Shtëpia e At Gjergj Fishtës po bie...

Mure që po u hiqen gurët me radhë, dyer prej druri të rëna, dritare të thyera, mjediset e brendshme totalisht të rrënuara, shkallët prej druri gati në rënie…Edhe vetë pamja e shtëpisë nga jashtë është gati të lëshohet, shkruan MAPO. Kjo është shtëpia e At Gjergj Fishtës që prezantohet përmes fotove, si gjendje e gjallë deri në ditën e djeshme nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi.

Mure që po u hiqen gurët me radhë, dyer prej druri të rëna, dritare të thyera, mjediset e brendshme totalisht të rrënuara, shkallët prej druri gati në rënie…Edhe vetë pamja e shtëpisë nga jashtë është gati të lëshohet. Kjo është shtëpia e At Gjergj Fishtës që prezantohet përmes fotove, si gjendje e gjallë deri në ditën e djeshme nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi. Prej disa viteve, Zefi por dhe çdokush që ka shkelur aty kanë dhënë alarmin për rrënimin e shtëpisë së shkrimtarit, quajtur Homeri shqiptar për epopenë e tij, Lahuta e Malcis. Edhe pse ky sensibilizim është bërë prej dy vitesh, pothuaj çdo muaj, vetëm tani përgjegjësit e trashëgimisë në Lezhë tregojnë se po bëjnë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.

Në ironi, ky është nga rastet fatale që s’merr vlerë përkujdesja pasi “jep shpirt”. Përgjegjësi i trashëgimisë së Lezhës, Zefi pas denoncimeve të tij të herëpashershme tani e sheh pothuaj të pamundur këtë projekt të kujtuar mjaft vonë, duke u shprehur në rrjetin e tij social:

Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture -ku ka jetuar i madhi At. GJERGJ FISHTA- duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar, së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit (Bashkia-Lezhë). Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…

Ka patur një pengesë të hershme mbi këtë shtëpi, me të cilën Ministria shpesh është justifikuar për mungesën e projektit se janë pronarët që nuk lejojnë restaurimin. Ndonëse ndërtesa është përdorur si magazinë misri.

Është e njohur nga mediat se për shtëpinë e At Gjergj Fishtës ka dy shpallje si Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Shpallja e parë është bërë në vitin 1991, me vendimin nr. 4 dt.07.05.1991 nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve dhe i përket shtëpisë ku ka lindur poeti, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1994 kur është shkatërruar nga banorët e zonës. Aty është vendosur një kryq, dhe një libër simbolik mendohet të jenë gjetur fragmente të themeleve nga DRKK e Shkodrës, pas gërmimeve të bëra.

Ndërsa me urdhrin nr. 702 dt. 05.06.2008 të Ministrit të Kulturës është shpallur si monument kulture edhe një shtëpi tjetër, ku ka banuar poeti, në fshatin Fishtë për disa vjet. Për këtë objekt në vitin 2012 është hartuar një projekt, madje ka patur edhe një fond për restaurimin e saj është kundërshtuar nga pronarët. Është pikërisht kjo banesë që po shkon drejt rrënimit dhe njihet si Shtëpia e Fishtës.

Në një intervistë të vitit 2015, zv.ministri i Kulturës, Zef Çuni sqaronte: “Kjo shtëpi në vitin 2012 ka pasur një projekt restaurimi dhe është dhënë një fond por që pronarët kanë kundërshtuar restaurimin e saj, duke pretenduar që t’u jepen tre shtëpi të reja. Kërkesa e këtyre pronarëve është bërë në drejtorinë rajonale dhe më pas kanë njoftuar dhe Ministrinë. Shteti nuk është pronar i të gjithë shtëpive, por shtëpitë që kanë pronarë ka një ligj që përcakton që 60% e paguan shteti dhe 40% e paguan pronari për restaurim por në rastin në fjalë të gjithë shumën do ta paguante shteti”, duke vijuar më tej me shpjegimin ligjor se “Trashëgimtarët e Fishtës nuk kanë as dokumente pronësie kështu që edhe për të krijuar një punim aty, duhet të kesh një dokument pronësie dhe unë personalisht kisha ngarkuar sektorin e Lezhës që t’i ndihmonte në hipotekë që të merrnin tapinë dhe nuk e kanë nxjerrë edhe sot e kësaj dite”. Dhe ja ku jemi në gjendjen e sotme të shtëpisë së Fishtës: e rrënuar, e gërryer në të gjitha anët, dhe pret ditët e fundit, të bjerë totalisht, edhe pse është shpallur Monument Kulture dhe ka një histori, jetën e shkrimtarit e poetik epik, At Gjergj Fishtës.

{gallery}