Rikthehet buxheti për shtatoren e Çettës, ende në kërkim të lokacionit

Rikthehet buxheti për shtatoren e Çettës, ende në kërkim të lokacionit

25 janar 2018 08:58

Prishtinë, 25 janar - Shteti ka rikthyer buxhetin për shtatoren e Anton Çettës. Brenda dy javësh pritet të hapet konkursi për propozimet për realizimin e saj. Por procedurat për këtë do të nisin ende pa u ditur vendi se ku do të vendoset vepra në nderim të mbledhësit të folklorit e prijësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve. Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale planifikon që gjatë periudhës së punimit të shtatores të gjendet edhe lokacioni. Tash ky është institucioni te i cili është bartur projekti, i cili dështoi vitin e kaluar.

Shteti ka ndarë 70 mijë euro për këtë projekt. Synimet për ngritjen e shtatores së prijësit të njërës prej lëvizjeve më të mëdha gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë është rikthyer në agjendën e institucioneve shtatë muaj pasi Qeveria kishte tërhequr buxhetin për këtë projekt. Përderisa Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale synon konkretizimin e realizimit të shtatores, Këshilli që ka iniciuar ngritjen e saj ende është në kërkim të vendit ku do të vendoset.

Vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores të paralajmëruar në shkurt të vitit të kaluar do ta pengonte refuzimi i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it, që kishte reaguar se për këtë nismë është anashkaluar krejtësisht. Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati pëlqimit për vendosjen e shtatores.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve memoriale, Idriz Blakaj, ka thënë se planifikohet gjithçka të marrë epilog këtë vit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme