Rexhep Ferri i dhuron Galerisë dy vizatime

Rexhep Ferri i dhuron Galerisë dy vizatime

24 janar 2018 15:38

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës të martën është pasuruar me dy vizatime të dhuruara nga Akademik Rexhep Ferri. 

Vizatimet e dhuruara janë, “Portreti i Pjetër Bogdanit” (1986) Tush në letër, dimensionet 70x100cm dhe “Portret i dyfishtë” (1985) tush në letër dimensionet 100x70 cm.

“Edhe pse e di se gjatë këtyre 18 viteve pas luftës së fundit është harruar ideja dhe dëshira që edhe Kosova ta ketë institucionin më të lartë të arteve pamore, Muzeun e Artit Bashkëkohor, me këtë rast i fala për këtë koleksion dy vizatime, për Muzeun që është harruar, për të cilin para 30 viteve janë mbledhur e blerë shumë vepra të cilat tani gjenden në deponë e Galerise Kombëtare. Gjatë viteve të fundit kohë pas kohe flitej për Operën, por për Artet Pamore shumë pak… Një popull që nuk e mban gjallë traditën është humbës i madh”, ka thënë Ferri.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Ekspozita e tij e fundit e tapiserive në Akademinë e Arteve dhe Shkencave rikonfirmoi rëndësinë e tij si artist inderdisiplinar, por edhe si personalitet dinjitoz, përfaqësues i trashëgimisë artistike të Kosovës.

Image

Image

Image

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme