“Magjia e Gramofonit”, një ekspozitë e rrallë në Tiranë

“Magjia e Gramofonit”, një ekspozitë e rrallë në Tiranë

24 janar 2018 09:20

Tiranë, 24 janar - Mbi 18 mijë pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka, u ekspozuan sot për herë të parë për publikun.

Të prezantuar gjatë ekspozitës “Magjia e Gramafonit”, ky koleksion i gramofonëve tërhoqi vëmendjen e vizitorëve, që kishin mbushur hollin e Muzeut Historik Kombëtar, bën të ditur atsh.

Ky koleksion iu dhurua më 1986 Arkivit Qendror Shtetëror nga koleksionisti britanik Martin Moir, gjë që çoi në krijimin e Fonotekës si sektor i zgjeruar, pranë këtij institucioni.

Përmes kësaj ekspozite, e cila vjen si bashkëpunim i AQSh me Muzeun Historik Kombëtar, shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve.

Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramofonit dhe muzikës, disa prej të cilave u ekspozuan pranë koleksionit të gramofonëve.

Sokol Çunga, arkivist në Arkivin Qendror të Shtetit në një prononcim për ATSH-ën u shpreh se ”të gjitha këto materiale janë një dhuratë nga koleksionisti dhe shitësi i antikave, Martin Moir në vitin 1986. Ai shpresonte se Shqipëria do të ketë një kapsulë kohe që do ti ruaj gjatë këto materiale. Këto gramofonë të veçantë vijnë për herë të parë për publikun dhe variojnë nga tipet e vjetra deri tek ato më të rejat”.

Sipas tij, e veçanta e kësaj ekspozite është se përveç gramofonëve kemi dhe një fonograf, i cili është një aparat i zbuluar para gramofonit nga Tomas Edison shpikësi i elektricitetit më 17 nëntor 1903 .

Gjithashtu në këtë ekspozitë janë ekspozuar gramofonë që i përkasin fillim shekullit të XX-të, të pas Luftës së Dytë Botërore, me diafragëm dhe ‘record player’ që janë aparate që lexojnë disqet elektronike të rralla për kohën.

“Një gramofon tjetër i veçantë është edhe ai i markës ”Parlofon” i prodhuar në 1913 -1914 dhe është një model i veçantë, i cili nuk është riprodhuar më dhe një objekt i tillë në Shqipëri përbën një veçanti”, nënvizon Çunga.

Në çeljen e kësaj ekspozite ishin të pranishëm dhe dy drejtorët Dorian Koçi i Muzeut Historik Kombëtar dhe Ardit Bido i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Abaz Hado.

Dorian Koçi në fjalën e tij për ekspozitën u shpreh se,”marrëveshja që kemi bërë pak muaj më parë me Arkivin Qendror të Shtetit nuk është thjesht një letër, por një bashkëpunim që vjen me këtë ekspozitë sot që është e dyta me Arkivin Qendror. Kjo ekspozitë do t’i krijojë vizitorëve një mundësi më tepër në ndriçimin e historisë së Shqipërisë”.

Ekspozita, vijoi ai, sjell këtë herë diçka ndryshe në historinë sociale të Shqipërisë.

“Kjo është diçka ndryshe dhe për vizitorët të cilët janë mësuar ta shohin historinë e Shqipërisë lineare me luftëra e të fortë, por kjo histori sociale që përcillet përmes këtyre gramofonëve është një trashëgimi kulturore e veçantë dhe kuptimplotë”, tha Koçi.

Koçi u shpreh se ”ekspozita është kuruar nga specialistë të Arkivit Qendror të Shtetit dhe të Muzeut Historik Kombëtar. Ajo do të qëndrojë e hapur rreth një javë dhe do të bëjmë të mundur që të jetë një ekspozitë lëvizëse brenda ambienteve të Muzeut Historik Kombëtar që vizitorët e shumtë dhe nxënësit e shkollave të kenë mundësi të njihen më nga afër me këto detaje të rëndësishme të historisë tonë sociale”.

Gjithashtu ai u shpreh se në ambientet e muzeut ndodhet dhe piano e të madhes Tefta Tashko Koço dhe disa partitura të saj e ku me anën e këtyre gramofonëve, të cilët kanë të regjistruar materiale të Tefta Tashko Koços do bëjmë të mundur për vizitorët të ndërthurim elemente të rëndësishëm të trashëgimisë tonë kulturore.

Ardit Bido drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave tha se ”Shqipëria është një vend shumë i pasur me trashëgiminë kulturore, e cila i jep vendit një vlerë të madhe”.

“Arkivi Qendror i Shtetit ruan jo vetëm trashëgiminë dokumentare të shtetit shqiptar, por ka dhe mjaft objekte muzeale që pasqyrojnë më së miri trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”, theksoi Bido.

Sipas tij, kjo ekspozitë gjithashtu vjen në kuadër të ”Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” dhe ka si qëllim ti japë publikut në mënyrë të thjeshtë gjithë këtë pasuri të veçantë të kombit tonë.

“Arkivi Qendror i Shtetit ka vendosur që këtë trashëgimi ta pasqyrojmë për publikun në Muzeun Historik Kombëtar dhe qytetarët dhe vizitorët të vijnë e të shohin jo vetëm gramafonët, por dhe të dëgjojnë muzikë, pasi kjo një javë do jetë muzikë në Muzeun Historik Kombëtar””, përfundoi Bido.

Ekspozita ”Magjia e Gramafonit” do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 30 janar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme