“Frymëmarrje në gardh” për mposhtjen e frikës nga tradita

“Frymëmarrje në gardh” për mposhtjen e frikës nga tradita

24 janar 2018 08:47

Prishtinë, 24 janar – Në shikim të parë gardhi me thupra në shoqërinë shqiptare asocion me rrethojë oborri a të një pjese të arës. Por kur i tillë vendoset në mes të galerisë, merr tjetër kuptim. Hapësira e rrethuar në të katër anët me gardh në ekspozitën e artistit Mentor Berisha, ngërthen në vete shumë mesazhe. Vetë skulpturat brenda saj japin ndjesinë e një muzeu të vogël. Një muze që në vete bart historinë e traditën.

Këtë e bën me skulpturën e përkrenares së Skënderbeut dhe shpatën e tij. Ndërsa traditën e paraqet përmes veshjeve kombëtare. Aktorët Afrim Muçaj bashkë me Rajmonda Ahmetajn brenda gardhit në fillim të performancës qëndrojnë të heshtur. Më pas me zë të ulët citojnë pjesë nga Kanuni. Performanca e tyre në një ambient të errët, që ndriçohet vetëm pak nga llambat e gjelbra, krijon një atmosferë intime brenda në galeri.

Duhet lëvizur e përkulur për të parë përtej gardhit. Ndërsa jashtë saj vizitori përballet me piktura të vogla, të cilat karakterizohen për nga loja me ngjyra dhe kompozicioni i figurave, që në këtë rast janë persona të veshur me veshje kombëtare. Të përbashkët kanë xhubletën. Krejt këto paraqiten në ekspozitën që Berisha e ka titulluar “Frymëmarrje në gardh”, që u hap të martën mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, “Qafa”.

Me këtë ekspozitë artisti mëton të prekë të kaluarën dhe të tashmen duke i bashkëdyzuar ato në një ambient bashkëkohor. Është një lloj përballjeje midis së vjetrës dhe bashkëkohores dhe kjo bërtet edhe për publikun. Në këtë rast muret e galerisë mbetën të zbrazëta pa shërbyer për atë që janë paraparë. E ky edhe ka qenë qëllimi i artistit. “Frymëmarrje në gardh” është thirrje për të mbrojtur traditën, të kaluarën dhe vlerën kombëtare. Sfidon konceptin e “qytetarisë së ashtuquajtur primitive”, siç i referohet regjisori Fadil Hysaj, njëherësh edhe kurator i ekspozitës.

Sipas Hysajt, “Frymëmarrje në gardh” është një lloj instalacioni që i ka elementin dhe skenografinë.

Performanca mbyllet me atë se “Mikut i lëshohet kryet e vendit”. E “Frymëmarrje në gardh” në galerinë “Qafa” prej së martës pret miq të artit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme