“Mendoj për ty” e Alketa Xhafa-Mripës në Londër kundër dhunës seksuale

“Mendoj për ty” e Alketa Xhafa-Mripës në Londër kundër dhunës seksuale

23 janar 2018 10:03

Prishtinë, 23 janar - Sheshi “Granary” në qendër të Londrës do të shndërrohet në hapësirë për instalacionin e artistes së njohur kosovare Alketa Xhafa-Mripa. Fustane e funde do të varen në tela përgjatë këtij sheshi që është në afërsi të shkollës së artit, “Central Saint Martins” ku Xhafa-Mripa ka kryer studimet në fund të viteve ‘90. Qëkur emigroi në Angli, artistja kosovare me veprat e saja ka arritur që të bëjë emër dhe të ndërtojë karrierë të bujshme.

Më datën 8 të muajit mars të këtij viti, ajo do të prezantohet me instalacionin e famshëm “Mendoj për ty” të cilin në qershor të vitit 2015 e realizoi në Stadiumin e qytetit në Prishtinë. Me qëllim që t’u japë zë viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, falë iniciativës qytetare ishin mbledhur rreth pesë mijë fustane që më pas u varën në stadium. Në këtë formë Xhafa-Mripa realizoi veprën që thërriste për solidarizim. Si vazhdimësi e këtij instalacioni, do të jetë edhe ai në Londër, e që bazohet pothuajse në të njëjtin koncept me atë që u realizua në nëntor të vitit të kaluar në Bruksel në kampusin e “Université libre de Bruxelles”.

Kompania e njohur britanike “Lush Cosmetics” deri më tani i ka ofruar mbështetjen artistes kosovare për mbledhjen e fustaneve, derisa ajo pret që kësaj nisme t’i bashkëngjiten edhe organizata të tjera (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme