Kulturë

Rugova zotohet ta çojë përpara kulturën në kryeqytet

Descriptive Text

Me bindjen se mandati i tij do të jetë periudha më e suksesshme e kulturës në kryeqytet, Yll Rugova e ka marrë postin e drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Rugova është i katërti udhëheqës i kësaj drejtorie, i emëruar brenda një periudhe katërvjeçare. I diplomuar në dizajn grafik dhe linguistikë, ai është emëruar në postin që deri më tani e ka mbajtur inxhinieri i elektronikës e kompjuterizimit Besart Vllahinja, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ardhja e tij në krye të Drejtorisë së Kulturës nga njerëzit e fushës qe cilësuar “pazar politik”. Vllahinja ishte emëruar drejtor në gusht të vitit 2016 dhe qëndroi në këtë post për një vit e gjashtë muaj. Regjisorja Blerta Zeqiri ishte drejtoresha e parë e emëruar në dhjetor të vitit 2013 për të dhënë dorëheqje pas shtatë muajsh.

Për katër muajt pasues, Komuna e Prishtinës pati mbetur pa udhëheqës të kësaj drejtorie, derisa më 4 dhjetor të 2014-s drejtoreshë qe emëruar Saranda Bogujevci, që i bie ta ketë mbajtur këtë pozitë për një vit e shtatë muaj. Ky ndryshim i vazhdueshëm i drejtorëve ka dalë të jetë një sfidë goxha e madhe për kryetarin e komunës, Shpend Ahmeti, i cili me përzgjedhjen e Rugovës, po mëton të rregullojë gjërat në menaxhimin kulturor të cilat për më shumë se katër vjet kanë mbetur në gjysmë.

Gjatë kësaj kohe Drejtoria e Kulturës nga njerëzit e fushës është kritikuar për keqmenaxhim dhe është cilësuar si “drejtori që ka njohur vetëm rënie dhe mosfunksionalitet”. Disa njerëz të komunitetit presin që Rugova do të punojë për përmirësim të gjendjes së deritanishme të kulturës në kryeqytet.

Rugova e ka pranuar se ka shumë projekte dhe reforma që duhet të ndërmerren dhe është shprehur i bindur se 2018-a “do të jetë mandati më i suksesshëm i Prishtinës në kulturë” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)