“The Road Not Taken” për luftën që s’ka fund

“The Road Not Taken” për luftën që s’ka fund

21 janar 2018 15:00

A do të mundë të kishte dalë ndryshe? Madje edhe para se të heshtnin armët në Vietnam, amerikanët nisën të debatonin nëse ndonjë strategji alternative do të mundë të kishte sjellë suksesin e luftës.

Për disa analistë, rruga drejt fitores do të mundë të kishte përfshirë më shumë shkrepje armësh nga një pikëvështrim i hershëm në më shumë pjesë të territorit të armikut, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Në këtë interpretim, civilët e tejmbushur e detyruan ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të luftojë “me një armë të lidhur pas shpinës”.

Nuk është e rëndësishme që kjo luftë e “kufizuar”, ka parë tetë milionë tonë bomba të lëshuara nga amerikanët dhe aleatët ajrorë në Vietnam, Laos dhe Cambodia, ndërmjet viteve 1962 dhe 1973, që lanë të vdekur qindra mijëra civilë, apo që ShBA-ja ka lansuar rreth 19 milionë bidonë me kemikale nëpër Vietnamin jugor, në përpjekje për t’ua mohuar strehimin e ushqimin forcave armike në xhungël. Nuk është e rëndësishme që trupat amerikane në nivelin më të lartë mbërritën të kenë më shumë se gjysmë milionë burra, apo që më tepër se 58 mijë prej tyre nuk ia dolën të kthehen gjallë në shtëpi.

Argumenti më interesant në shikim të parë është e kundërta: që përgjigjja në Vietnam ishte të vendosej më pak forcë ushtarake, e jo më shumë. Planifikuesit në Washington, sipas kësaj perspektive, gabuan duke e parë luftën kryesisht si një konflikt ushtarak kur ajo që kishte rëndësi më së shumti ishte dimensioni human. Ata harruan që në një luftë të këtij lloji nuk ishte e mjaftueshme të jesh kundër komunizmit: njeriu duhet të luftojë për diçka. Çelësi i fitores shtrihet në përfilljen e nevojave të njerëzve, në përgjigje të aspiratave të tyre, në fitoren, sikur ishte thënë e “zemrave e mendjeve të tyre”.

Një burrë e ka personifikuar këtë pikëvështrim mbase më shumë se kushdo tjetër: Edward Lansdale, operatori më i madh i inteligjencës në Luftën e Ftohtë të Amerikës, i cili është edhe subjekt i librit më të ri të Max Boot, me titull “The Road Not Taken” (Rruga e pandjekur). Lansdale, i cili ndihmoi në pengimin e një kryengritjeje në Filipine dhe komplotoi për ta rrëzuar Fidel Castron, ishte prezent në themelimin e Vietnamit Jugor më 1954 si një këshilltar i rëndësishëm i kryeministrit e më vonë edhe presidentit Ngo Dinh Diem. Ndikimi i tij do të zbehej, por jo besimi që lufta për Vietnamin duhej fituar – dhe që mund të ndodhte, duke siguruar strategji amerikane që kombinonin si duhej politikën dhe masat ushtarake.

Boot, një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, sjell të dhëna solide në këtë libër duke shkruar histori të zbërthyera mirë të luftës guerile dhe “luftërave të vogla” të Amerikës. Në këtë libër, ai sjell një sërë materialesh, zyrtare e personale, përfshirë edhe një mori letrash dashurie ndërmjet Lansdale dhe dashnores së tij filipinase... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme