Kulturë

Kulla e rojtarëve të Kishës që u dogj nga serbët

Descriptive Text

Pak kulla kanë mbetur në Deçanin që dikur ndërtimin prej guri e kishte parësor. Shumica dërrmuese u shkatërruan në luftën e fundit në Kosovë, bashkë me shkatërrime e dëme të tjera që po kryente Serbia e asaj kohe fillimisht në njerëz e më pas në godina, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në mesin e atyre që u dogj e gati sa s’u rrafshua ishte edhe ajo e Demëukajve. Ani pse ishte nën mbrojtje shtetërore si monument kulture. E pikërisht duke qenë e tillë, në vitin 2002, me një fond nga SIDA suedeze, kulla u ringrit. Me pak ndryshime, pothuajse ashtu siç ka qenë. Gurët që kishin mbetur në strukturat e moçme ishin shënjuar me numra, dhe janë rikthyer pikërisht në vendin ku kanë qenë dikur, atëherë kur u ndërtua për herë të parë, e që kryefamiljari thotë se bëhet fjalë për çerekun e parë të shekullit XIX.

Në sallonin që ka adaptuar në përdhese, Haxhi Demëukaj mirëpret miq e mysafirë. Nga aty, 73 vjeçi rrëfen gjithë historinë e kullës e të familjes. Nami nis te Sali e Bilall Rrusta, babai i të cilëve e ndërtoi kullën. Familja që mbrojti Manastirin e Deçanit për më shumë se një shekull nuk pati mundësi ta ruajë kullën e vet nga serbët.

Ringritja nga themeli

Demëukaj thotë se për herë të parë kulla, si objekt i fortifikuar banimi është ndërtuar në mes të viteve 1820-25.

“E ka ndërtuar babai i Salih e Bilall Rrustës”, thotë Demëukaj.

Kohë tjetër ndërtimi përmend Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, që në listën e vet me të cilën e ruan këtë objekt si monument kulture e përshkruan si ndërtim të gjysmës së dytë të shekullit XIX. Cilado që të ketë qenë koha e ndërtimit, ajo u shkatërrua thuajse tërësisht në luftë, për t’u rindërtuar pak metra më larg e me disa ndryshime... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)