Kulturë

Politika e jashtme dhe diplomacia e Skënderbeut

Hyrje

Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut është histori dhe mit. Ndarja në mes të mitit dhe historisë mund të bëhet përmes analizës shkencore. Ishte filozofi francez François-Marie Arouet, i njohur si Voltaire, i cili e krijoi konceptin për filozofinë e historisë. Pikërisht Voltaire, një nga autorët më me influencë në kohën e Iluminizmit francez, shprehte konsiderata më të larta për Gjergj Kastriotin duke e cilësuar Shqipërinë e kohës së Kastriotit si “një shtet që pasqyron kohën që ne e quajmë heroike”, shkruan Sabri Kiçmari në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Në rrafshin filozofik historinë e Skënderbeut mund ta kuptojmë si një nxitje për të reflektuar për të kaluarën, mbi qëllimet, rrethanat dhe ligjshmëritë e veprimit të Gjergj Kastriotit në një periudhë komplekse historike përmes një këndvështrimi kritik dhe analitik, bazuar në të dhënat empirike dhe reflektimet në periudhat pasuese.

Gjergj Kastrioti pa dyshim i plotëson të gjitha parakushtet e definuara nga Maks Veberi për t’u cilësuar si udhëheqës karizmatik: ai ka qenë personalitet i jashtëzakonshëm, me kualitete të dallueshme udhëheqëse ushtarake, politike dhe diplomatike, i vlerësuar edhe nga shumë bashkëkohanikë të tij si personalitet me veçori të jashtëzakonshme, me kualitete etike dhe estetike të veçanta.

Kastrioti ka pësuar drama të vërteta emocionale në rrafshin njerëzor: si i ri detyrohet të ndahet nga familja, i helmohen vëllezërit, i vritet babai, tradhtohet nga nipi Hamza Kastrioti dhe nga bashkëluftëtari më i afërt Moisi Golemi, jepen shuma të mëdha për vrasjen e tij, u përballon disa tentimeve për atentat e të tjera. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore).