Kulturë

Çapriqi, poet i veçantë

“Njerëzit janë të përkryer
E bartin nën gjuhë Dheun At”

(nga "Muri Gjigant”)

Poezia nuk shkruhet kur duam

Në kapërcyell të viteve të 70-ta fenomeni i letërsisë moderne kishte zënë të shkruhej e të debatohej më shpesh. Në të dy anët e Drinit ishin botuar vepra që meritonin të mbanin këtë epitet. Në vitin 1971, një grup krijuesish nga Prishtina iu kishin kundërvënë realizmit socialist me tekstin problemor "Vox clamantis in deserto", pasi që këtë drejtim letrar e shikonin të demoduar dhe të huaj për kulturën dhe krijimtarinë shqiptare, shkruante Ali Podrimja në parathënien e librit me poezi “Burimi nën gjuhë” të Basri

Çapriqit botuar më 2005.

Ata që mendonin ndryshe harronin se "kundërshtimi i letërsisë bën pjesë në letërsi" (M. J. Lefebve). Pas tri dekadash teksti i cituar do të konsiderohet manifest i parë në letrat shqipe (“Fjala”, supliment i “Temës”, Tiranë, 2003)

Thyerjet ishin të dukshme, se vlerat letrare kishin zënë të shikohen ndryshe nga bindjet ideologjike dhe njëtrajtshmërisë. Modernia pushtonte hapësirën mes pasojave dhe guximit krijues.

Në kohë të mëdyshjeve, përplasjeve e kërkimit të së resë zbriste një i ri nga cepi verior i Ilirisë, i cili artin do ta kuptojë, para së gjithash, shpalim të vetes e kënaqësi estetike si dhe mjet për të dëshmuar identitetin; do t’iu shmanget skemave banale e stereotipeve, verbi i tij poetik do të lëvizë nga poezia imazhiste me nuanca mitike e deri te poezia e revoltës dhe asaj konceptuale.

Përballemi me një krijues, i cili veçohet nga brezi i tij për ndjeshmëri e artikulim bashkëkohor, koncepte e ide si dhe për guximin intelektual edhe ndaj temave tabu. Këtë do ta hasim edhe në shkrimet e tij diskursive. Vlen të shfletohet libri i eseve "Simboli dhe rivalët e tij", që mbështet kryesisht vlerat dhe kriteret. Kemi të bëjmë pra, me një krijues që gjërave u qaset dhe nuk i merr si kalueshmëri. (Më gjerësisht mund të lexoni në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore).