Kulturë

Ganimet Klaiqi, kujtohet si zëdhënësi i shoqërisë kosovare

Descriptive Text

Kujtimi për të dhe veprimtaria e tij, të premten në Kamenicë kanë bërë tok miq, kolegë bashkëpunëtorë e familjarë të Ganimet Klaiqit, që për dy dekada ishte gazetar në “Koha Ditore”, e më pas edhe ligjërues në UBT. Ai është çmuar edhe për kontributin e tij në krijimtarinë artistike e në jetën kulturore në përgjithësi.

Ndër to është edhe ai që kishte dhënë në themelimin e klubit letrar “Nositi”, i cili e ka organizuar këtë takim në nderim të tij, duke përuruar edhe revistën dedikuar Klaiqit, i cili vdiq më 15 maj të vitit të kaluar në moshën 52-vjeçare. Në numrin e 12-të të kësaj reviste janë përthekuar disa prej shkrimeve e poezive të Klaiqit, si dhe të tjerëve që kanë shkruar për të, shkruan sot Koha Ditore.

Portreti i tij zë vend në ballinën e këtij botimi, ku ndër të tjera janë botuar poezitë “Lindja“, “Biseda për Poezinë”, “Kohë etje”, “Fushëloja jetë”, “Pena ime”.

Pikërisht pena e tij në gazetari e në fushën letrare ka qenë kryefjalë e folëseve në këtë takim përkujtimor, e figura e tij ka kohë që është cilësuar si ajo e njeriut të guximshëm e parimor.

Nexhat Rexha, kryeredaktor i revistës “Nositi” në Kamenicë, ka thënë se portreti i Ganimet Klaiqit paraqet njeriun e urtë dhe intelektual, komunikues dhe realist, i cili me përfshirjen e tij në aktivitetet kulturore ka lënë gjurmë në Kamenicë. Ka kujtuar se me të u njoh në vitin 1983 në Gjimnazin e Kamenicës, ku ai ishte mësimdhënës e Ganimeti nxënës. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).