Kulturë

“Kosovo jo me ‘o’” si shfaqje e papërfunduar

Descriptive Text

Kur një shfaqjeje i bëhet përshkrimi se teksti i bazohet në emra të mëdhenj si shkrimtari shqiptar Ismail Kadare a dramaturgu i njohur rus Anton Chekhov, atëherë pritjet janë të mëdha. Kosova në titull më pas vetëm sa e bën edhe më intriguese.

Por për të dalë një shfaqje e mirë, mesazhet që merren nga Kadareja dhe Chekhov për ta vendosur ngjarjen në një kontekst vendor duhet të jenë të sakta për t’i ikur patetizmit. Por “Kosova, jo ‘o’”, me regji të Ekrem Sopit, nuk ia del ta bëjë këtë. Së paku në premierë, loja e aktorëve lë vend për kritika negative.

Në jo pak raste e harrojnë edhe tekstin. Skenografia është e thjeshtë, përderisa problemet teknike e përcjellin gati tërë kohën. Duket sikur nuk ka qenë gati për të dalë para publikut, ani pse kjo s’ka qenë metaforë për ta zbërthyer imazhin e një shteti të papërfunduar. S’ka pasur as motiv për të dhënë më shumë: në sallë nuk kanë qenë as dhjetë veta.

Atë çfarë kanë parë më shumë i ka ngjarë provave fillestare ku aktorët improvizojnë kohë pas kohe edhe kur harrojnë tekstin, e nuk japin asnjë pikë emocioni në skenë. Sopi, njëherësh ka edhe rolin kryesor. Portretizon Bekimin i cili është invalid i luftës. Me karrocën e tij ai shëtit dhe viziton varrin e Bacit që nënkuptohet se bëhet fjalë për Adem Jasharin. Vajton gjendjen në të cilën është Kosova. Më pas në skenë futet Linda (Makfire Miftari), e cila me një gazetë në dorë, e ulur në stolin pranë varrit të Bacit, me një shami të kaltër në kokë, sikur vetëm miraton ankesat që Bekimi i bën. Shpeshherë është aty edhe për të improvizuar kur Sopi harron tekstin, ose të këndojë kur teknika me kohë nuk ia lëshon muzikën. Nuk është se kuptohet qartë roli i saj, megjithatë, me aq sa mund të ketë peshë personazhi që portretizon, ajo të paktën tingëllon mirë dhe mundohet që e vetme ta mbajë këtë shfaqje.

Në përshkrimin që i bëhet kësaj shfaqjeje, e cila është e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 3 mijë e 500 euro, thuhet se flitet për kërkimin e dinjitetit (më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.