Muzeu “Gjon Mili”, një tjetër vlerë që i shtohet Korçës

Muzeu “Gjon Mili”, një tjetër vlerë që i shtohet Korçës

18 janar 2018 14:58

Tiranë, 18 janar - Në shtëpinë rumune në qytetin e Korçës vijon puna për ndërtimin e muzeut kombëtar “Gjon Mili”, që do t’i kushtohet figurës së fotografit korçar me famë botërore.

Në këtë muze pas rikonstruksionit do të ekspozohen 240 fotografi të mjeshtrit botëror të fotografisë me origjinë shqiptare Gjon Mili, të blera nga Qeveria shqiptare.

“Një tjetër vlerë shtohet në qendër të qytetit për t’i dhënë vlerësimin e merituar fotografit korçar me famë botërore. Falë mbështetjes së TAP-it, kjo hapësirë do të kthehet në një pikë atraksioni për turistët dhe dashamirësit e artit dhe kulturës”, thuhet në një postim në rrjetin social Facebook të bashkisë së Korçës, transmeton atsh.

Punimet për ndërtimin e muzeut pritet të përfundojnë në maj të këtij viti.

Gjon Mili u lind më 24 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani. Atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.

Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetjake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës.

Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme , e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme