“Lirinë e gjeta këtu” si një udhëtim nëpër kohë për figurën e Heroit Kombëtar

“Lirinë e gjeta këtu” si një udhëtim nëpër kohë për figurën e Heroit Kombëtar

18 janar 2018 09:34

Prishtinë, 18 janar - Imazhet e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dallojnë nga njëri-tjetri. Në gravurat e artistëve evropianë të mesjetës portreti i heroit kombëtar të shqiptarëve paraqitet në forma të ndryshme sa i përket pamjes e gjendjes emocionale.

Por të gjitha kopjet e gravurave e ekspozuara të mërkurën në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” shpërfaqin një burrë me mjekër e kapelë. Në rastin e mbulimit të kokës bën përjashtim njëra.

Vetëm në një rast ai që njihet edhe si Princi i Arbërve shihet me përkrenare në kokë. Sikurse në Muzeun e Krujës që mban emrin e heroit edhe në kopjet që posedon BKK-ja, artistët italianë imazhin e Skënderbeut e paraqesin me mjekër shumë më të gjatë sesa ata gjermanë.

Portretet e Gjergj Kastriotit përbëjnë vetëm një pjesë të ekspozitës së hapur në BKK me titull, “Lirinë e gjeta këtu” e hapur pikërisht në ditën kur u shënua 550-vjetori i vdekjes së heroit.

Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e premte, gjenden artikujt e gazetave ku dominojnë ata të së përditshmes “Rilindja” të vitit 1968 kur edhe u shënua 500-vjetori i vdekjes së figurës më të lartë të historisë shqiptare.

Krahas njërës pjesë të ekspozitës që gjendet në hollin e parë të BKK-së, në hapësirën tjetër, midis dy amfiteatrove zënë vend gravurat e betejave të arbërorëve përballë ushtrisë së Perandorisë Osmane.

Një prej thesareve të Bibliotekës është libri “Georgious Castriotus, Epirotarum Princeps”. Gravura e Skënderbeut pa përkrenaren e tij është punuar enkas për librin e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1743 në Zagreb të Kroacisë. Ky është botimi IV i librit origjinal të shkruar nga Barleti në vitet 1508-1510 në Romë. Në gjuhën origjinale janë bërë edhe tri botime të librit të Barletit. Botimi i dytë në Strasburg të Gjermanisë më 1537, i treti në Frankfurt më 1578 dhe i katërti, botimi i Zagrebit në vitin 1743, i cili i përket Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme