Sali Musliu fitues i çmimit “Peneli i Flakës së Janarit 2018”

Sali Musliu fitues i çmimit “Peneli i Flakës së Janarit 2018”

17 janar 2018 21:42

Sali Musliu, piktor gjilanas që jeton e vepron në Gjermani, është fitues i çmimit blerës të “Peneli i Flakës së Janarit 2018”, ngjarje kulturore në të cilën është hapur edhe ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të Manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë edicion, sipas organizatorëve ka pasur prurje të shumta, mbi 60 sosh, por që në pamundësi që të ekspozohen të gjitha, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të jenë pjesë e kësaj ekspozite, transmeton Koha.net.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar artistët pjesëmarrës e komisionin dhe ka shtuar se kjo është ndër shtyllat kryesore të “Flakës së Janarit”, që në Gjilan zhvillohet tash e 27 vite.

Ai ka rikujtuar kohët kur kjo ngjarje mbahej në galeri alternative e në restorante, që ishin shndërruar në hapësira për ekspozim. Ai ka uruar fituesit dhe i ka ftuar gjilanasit që ta vizitojnë ekspozitën, kurse ka paralajmëruar se prioritet i tiji në të ardhmen do të jetë bërja e Gjilanit me një galeri të mirëfilltë të arteve në një objekt krejt tjetër.

“Ka ardhur koha për të gjetur rrugën, objektin apo edhe që të ndërtohet një galeri e re. Ju siguroj se gjatë këtij viti do të punoj për këtë qëllim”, ka thënë Lutfi Haziri, duke shtuar se galeria do të jetë institucion publik, por do të udhëhiqet nga Shoqata e Artistëve Figurativ dhe do të jetë në menaxhim të tyre dhe për ta e ata do të bëjnë kalendarin e plotë të ekspozitave për 12 muajt e vitit.

Ndër fitues të sivjetmë, të përzgjedhur nga Juria Profesionale, Rasim Vllasaliu, Ragip Ramadani dhe Sabri Shaqiri janë Luan Shahiqi, Shefqet Abrazhda dhe Avni Behluli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme