Kulturë

Basri Çapriqi sot përcillet në shtëpinë e amshimit

Descriptive Text

Profesor, që pos ligjëratave ishte edhe shembull i një njeriu që rrezatonte kulturë të gjerë, studiues i nivelit të lartë e poet që përdorte elemente postmoderne në vargun e tij.

Gati të gjithë ata që e njohin dhe e kanë studiuar poezinë e tij, e cilësojnë figurë poliedrike e mjeshtër të ironisë. Këto janë pak nga veçantitë me të cilat kujtohet profesori universitar i letërsisë, kritiku letrar e poeti, Basri Çapriqi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me vdekjen e Çapriqit letërsia në përgjithësi e studimet për të dhe poezia shqipe në veçanti kanë humbur njërin prej punonjësve më të zellshëm të tyre. Çapriqi të hënën do të bëhej 60 vjeç. Krijimtaria e tij në aspektin kohor rrumbullakon plot tri dekada, përderisa vlera e saj kërkon edhe shumë të tjera për t’u zbërthyer.

I lindur në fshatin Krythë, nja 15 kilometra larg Ulqinit, ai kishte përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në qytetin bregdetar. Ka studiuar letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe diplomoi më 1983. Do të ndiqte studimet e magjistraturës po në këtë Universitet, të cilat i ka përfunduar më 1987, me temën “Format antitetike të tekstit letrar në poezinë e sotme shqipe”. Më pas ishte zhvendosur për studime sa i përket letërsisë skoceze në Universitetin e Edinburgut. Më 1994 mori diplomë nga ky Universitet me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”, për të doktoruar dhjetë vjet më vonë në UP, me temën “Simboli në poezinë e sotme shqipe”.

Nëntë vjet pas zgjedhjes asistent, Çapriqi nisi të ligjëronte lëndën Stilistikë dhe më 1999 edhe Semiologji, ndërsa në vitin 2005 zgjidhet profesor asistent për këto lëndë në Degën e Letërsisë Shqipe dhe në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare. Në vitin kur doktoroi u zgjodh kryetar i parë i PEN-Qendrës së Kosovës, për t’u rizgjedhur më 2009. Dy herë ishte zgjedhur edhe kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës më 2006 dhe 2009. Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe nënkryetar i saj ishte bërë më 2012, përderisa katër vjet më vonë ishte zgjedhur profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës. E nga krijimtaria letrare nuk kishte hequr dorë asnjëherë.

Në krijimtarinë poetike Çapriqi ka botuar edhe veprat: “Në fund të verës”, 1986, “Ma qet gjuhën”, 1989, “Frutat bizare”, 1996”, “Grass on the Window”, 1996, “Burimi nën gjuhë”, 2005 “Zbutja e gjarprit”, 2006 “Deschiderea scoicii”, 2010, “Përkryerja e shiut”, 2013. Krijimtaria e tij studimore është mjaft e gjerë. Ka botuar shtatë vepra në kritikë letrare dhe dramën “Ora bizare”, e shfaqur në Festivalin Botëror të Teatrit Alternativ në Kajro të Egjiptit. Ka botuar qindra studime në revista e gazeta. Si poet që spikaste me vargje të nivelit të lartë estetik e tematik, poezitë e Çapriqit janë përfshirë në antologji në polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht e japonisht.

Një akademi përkujtimore, paraditen e sotshme (e martë) në Fakultetin e Filologjisë, do t’i prijë varrimit të Çapriqit në varrezat e Prishtinës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)