Kosova, protektorati i harruar

Kosova, protektorati i harruar

17 shkurt 2017 13:03

Gazetari Rüdiger Rossig kritikon në një film dokumentar rolin e ndërkombëtarëve në Kosovë dhe Bosnje. Siç transmeton DW, ai sheh largimin e njerëzve nga politika në Ballkan, por drejtimin tek një ideologji tjetër, tek feja.

Zoti Rosig, ju e njihni mjaft mirë, Ballkanin, keni jetuar atje disa vite. Në filmin tuaj dokumentar "Bosnja dhe Kosova -protektorate të harruara" - që pritet të shfaqet në televizionin "Arte" në fund të shkurtit ju kritikoni angazhimin ndërkombëtar në Kosovë, edhe në Bosnje. Ku ecën keq punët?

U derdhën shumë para, por nuk u pa, nëse kjo para investohet me produktivitet, nëse kjo u dha për përmirësimin e mirëqenies apo duhej investuar më shumë në ndërtimin e demokracisë. Një pjesë e mirë e fondeve të ndihmës për zhvillim në fund të fundit është rikthyer në vendet donatore - sepse nëse një organizatë ndërkombëtare, ministri apo një organizatë si GTZ aplikojnë për një projekt, ata dërgojnë njëherësh edhe konsulentët apo punonjësit e tyre, të cilët po ashtu janë faktor kostosh. Ndërkohë si në Bosnje edhe në Kosovë janë ngritur burokracitë lokale, aparate lokale, të cilët po ashtu marrin një pjesë të këtyre fondeve. Vetëm 10-15% e këtyre fondeve mbërrijnë vërtet tek ata që janë nevojtarë.

Nuk i ka rënë në sy kjo kujt në Bruksel?

Po, sigurisht, madje ka edhe kritika të brendshme për këtë, por për shkak se kështu funksionon edhe në Afganistan, Irak apo diku tjetër është krijuar një normalitet i dëmshëm, ku megjithëse dihet se kjo metodë e dëmton rëndë imazhin e organizatave ndërkombëtare, përsëri ato e pranojnë këtë mënyrë veprimi me fondet si normalitet dhe nuk ofrojnë alternativë tjetër.

Ju kritikoni në filmin tuaj, se si të dërguarit e bashkësisë ndërkombëtare si në Kosovë edhe në Bosnje duket sikur janë aranzhuar me elitat e korruptuara lokale. Pse është krijuar kjo gjendje?

Të dërguarit e organizatave ndërkombëtare duhej në fillim të komunikonin me elitat vendore, por ndoshta pas takimeve nuk kishin pse të shkonin aq shpesh në restorante luksoze. Duket se është krijuar një rrjet në nivel europian i politikanëve lokalë dhe të dërguarve ndërkombëtarë, që njihen prej vitesh, që bëjnë pushime bashkë, që janë lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, kjo strukturë ngjall mosbesim të thellë tek popullsia lokale jo vetëm ndaj elitave lokale, por edhe ndërkombëtarëve.

Por nuk ka qenë e qartë më parë, se zhvillime të tilla janë të rrezikshme për këto vende?

Po, madje ka kritika, me emër do të thosha Andrea Capusellan, ish-drejtuesin për çështjet ekonomike në prezencën ndërkombëtare të Kosovës, një nga dëshmitarët në filmin tonë, se pse gjërat janë zhvilluar keq, me gjithë derdhjen e parave. Pasi ai vuri re se kritika e tij konstruktive nuk pranohet aspak tek instancat e tjera ndërkombëtare, ai vendosi të largohet dhe të shkruajë një libër për këtë.

Ju flisni për Kosovën dhe Bosnjen si protektorate. Michael Steiner, i cili ka qenë aktiv, si i dërguari gjerman i OKB-së në Kosovë, por edhe në Bosnje, ka thënë se gabimi më i madh i SHBA dhe BE ka qenë që si Kosova ashtu edhe Bosnja nuk kanë qenë asnjëherë protektorate të plotë, por gjysmë-protektorate, dhe se strukturave nacionaliste, përgjegjëse për krime iu mundësua pjesëmarrja në zgjedhje të lira. Pse nuk vepruan ndërkombëtarët në Kosovë e Bosnje si në Gjermani pas Luftës së II Botërore?

E mbështes mendimin e Steiner, se të bësh sikur menjëherë pas luftës mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndërtosh shpejt një shoqëri civile ka qenë e gabuar dhe madje jo e sinqertë. Pse u veprua kështu? Besoj se bashkësia ndërkombëtare problemin e Ballkanit donte ta hiqte qafe sa më shpejt të ishte e mundur. Do të ishte më mirë, nëse bashkësia ndërkombëtare do të kishte e sinqertë me popullsinë. Keni pasur një luftë të tmerrshme, ne duhet këtu fillimisht të ngremë strukturat, e duhet të kujdesemi që të rritet mirëqenia, duket se kjo është baza e një demokracie funksionuese.

Ju sillni informacione në film, se influenca e islamit fundamentalist po merr forma shqetësuese, dhe se nuk është e qartë, se kush e ka influencën më të madhe në Ballkan, BE, Arabia Saudite apo Turqia. Si keni arritur në këtë përfundim?

Prezent nuk është vetëm islami fundamentalist, po ashtu edhe ndikimi i Arabisë Saudite dhe Turqisë së Erdoganit janë aktive në synimin për të futur islamin politik, por po ashtu nga ana serbe-ortodokse dhe katolike-kroate ndërtohen me shumicë kisha. Më duket se është tipike në ish-Jugosllavi, kur pas një krize më shumë se dy dekadash, njerëzit largohen nga politika dhe iu drejtohen ideologjive të tjera. Njëra nga këto ideologji janë fetë e ndryshme në Ballkan.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme