Agi Haxhimurati: Ofenduese logoja e ngjashme, Kosova dështoi të sjellë turistë

Agi Haxhimurati: Ofenduese logoja e ngjashme, Kosova dështoi të sjellë turistë

13 janar 2018 23:53

Dizajneri nga Rahoveci, Agi Haxhimurati deklaruar se është ofenduese dhe e pakuptimtë që Kosovës i është ofruar logo e ngjashme për 10 vjetorin e Pavarësisë.

Ngjashmëria ndërmjet logos së 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe Kongresit të partisë shqiptare në Maqedoni, BDI, që të dyja të punuara nga artisti Zeni Ballazhi, ka zgjuar reagimin e shumë artistëve e qytetarëve, të cilët kanë akuzuar artistin për shkak të kësaj ngjashmërie.

Image

Për Koha.net ai ka thënë se çdo klient (në këtë rast Kosova) gjithnjë kërkon punë unike e dedikuar vetëm për ta. E ky unikalitet sipas tij do të duhej të ishte sidomos në rastin e Kosovës, pasi ky krijim nuk është i përkohshëm por përfaqëson shtetin përgjithmonë.

“Secili klient (në këtë rast Kosova) çdoherë dhe gjithnjë kërkon punë unike, punë të veçantë që është e dedikuar vetëm për ta. Punë kreative që do t’i përfaqësonte kudo që shkon, pasi këto krijime nuk janë të përkohshme, por janë krijime që të përfaqësojnë përgjithmonë, sidomos rasti i Kosovës”, ka deklaruar Haxhimurati.

Ai ka shtuar se asnjë artist nuk ka të drejtë të garojë apo ofrojë klientëve të tij punë të ngjashme.

“Mendoj se është ofenduese dhe e pakuptimtë që një klienti t’i ofrohet puna e njëjtë (ngjashme). Ashtu siç është ofenduese kjo që po i ndodh një ‘fëmije 10 vjeçar’, si Kosova. Pra, asnjë autor asnjëherë nuk ka të drejtë që të garojë (ofrojë) klientëve të tij punë të ngjashme. Është njësoj sikurse një gazetar të garojë dy herë me të njëjtin shkrim”, është shprehur ai.

Sipas tij Kosova, si shtet, dështoi të sjellë turistë në këtë vit jubile, pasi i ka humbur shija dhe kredibilieti i kësaj feste.

“Mendoj që rasti është banalizu aq shumë, sa që i ka humbur shija dhe kredibiliteti i kësaj feste. Më nuk ka rëndësi kush se çka ka bërë, por ka rëndësi që Kosova si shtet dështoi që të sjellë turistë në këtë vit jubile”, ka thënë Haxhimurati për Koha.net.

Ndërsa, vetë autori i logos, Zeni Ballazhi, për Koha.net ka thënë se logoja nuk mund të konsiderohet plagjiat, pasi që të dyja janë të punuar nga vetë ai dhe se, sipas tij, vetëm ka avancuar punën e tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme