Ka shumë bukuri në jetën e gjithçkaje

Ka shumë bukuri në jetën e gjithçkaje

14 janar 2018 07:01

Tenori Riad Ymeri, i lindur në Prishtinë, është vlerësuar për zërin e tij të plotë lirik. Debutoi me Operën dhe Baletin e Shqipërisë në rolin e Taminos në operën “Fylli Magjik” të Mozartit në vitin 2011.

Pas kësaj, ai vazhdoi të punojë me ta në projekte të tjera, ku këndoi rolin e Nemorinos në operën “L’elisir d’Amore” të Donizettit; Acomat nga opera “Scaderbeg” e Antonio Vivaldit; Damjan prej produksionit gjigant të operës shqiptare “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, me të cilën performoi në Shqipëri dhe Maqedoni. 

Në vitin 2013, Ymeri debutoi si Don Ottavio në operën “Don Giovanni” të Mozartit dhe në nëntor si Walther në “Tannhauser” të Wagnerit. Ymeri është prezantuar në disa festivale ndërkombëtare si: “Istria Festival” në Kroaci; “Summa Cum Laude” në Vjenë; “Chopin Festival” në Prishtinë; “Ditët e muzikës maqedonase” në Shkup. Ka performuar në koncerte të shumta në Belgjikë në sallën e famshme “Bozar Hall”; “The Alighieri Theatre” në Itali; në sallën prestigjioze të qytetit të New Yorkut, “Carnegie Hall”, po ashtu edhe në shumë koncerte në Londër, Paris e të tjera. 

Është fitues i shumë çmimeve në Kosovë, prej garës ndërkombëtare të muzikës “Ars Kosova” E në Shqipëri është fitues i “Jorgji Truja” dhe në New York nga “Gerda Lissner Foundation” dhe “Giulio Gari”. 

Në vitin 2014 mori bursë për studime dhe që nga ajo kohë po krijon dhe ndërton karrierën e tij me mësues të “Metropolitan Opera”, siç janë Steven Elderdge dhe Arthur Levy.

Tenori Riad Ymeri flet për rubrikën shtatë shkronjtat në e Diela me Koha Ditore

Jeta: Gjithçka fillon nga jeta. Edhe numrit 0 iu dha jeta, edhe lapsit, edhe shumë e shumë krijesave të tjera dhe universit. 

Ka shumë bukuri në jetën e gjithçkaje. Ne duhet të jemi shumë falënderues për këtë dhunti. Sa i përket jetës sonë, njerëzimit, ka shumë shëmtira gjithandej. Nganjëherë e “mirë” dhe nganjëherë e “keqe”. 

Besoj se ka jetë edhe pas vdekjes. Sidomos si artist, ku imagjinata është domosdoshmëri (madje edhe Einsteini kishte thënë “imagjinata është më e rëndësishme se dija”) besoj që ka jetë pas vdekjes, sepse s’do të kishte kuptim fare për mua nëse do ta besoja të kundërtën. 

Një thënie popullore thotë: “Njeriu sa t’jetojë mëson”. Kjo është shumë e rëndësishme pra, ne mësojmë vazhdimisht dhe po dite ta vlerësosh dhe shfrytëzosh këtë dukuri, do jesh i lumtur përgjithmonë, dhe besoj se edhe ai do ishte qëllimi i jetës, sepse injoranca është një ndër armiqtë më të mëdhenj të njeriut dhe jetës së mirë në këtë botë. Është shumë e gjerë si temë, nuk do na mjaftonin rreshtat për ta shtjelluar më tutje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme