Çeliku, valltari fluturues që frymëzoi brezat

Çeliku, valltari fluturues që frymëzoi brezat

13 janar 2018 17:40

Hapat e tij në skenë e kishin bërë që ta merrte edhe epitetin “Valltari fluturues”. Por ai shkoi përtej kësaj. Pos që u dëshmua si artist, u bë edhe frymëzim për shumë të tjerë që i janë përkushtuar valles popullore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lajmi për vdekjen e solistit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Shqipëri, Rexhep Çeliku, ka bërë që njerëzit e kulturës të vlerësojnë se skena mbarëkombëtare ka humbur njërin prej emrave më të mëdhenj të saj.

Figura e Çelikut është prej të parave që kujtohet sapo përmenden vallet popullore. Ata që e njohën nga afër kanë thënë se ai do të jetojë nëpërmjet imazhit të krijuar si artist e koreografi që ka bërë. Çeliku vdiq në orët e para të së premtes. Ai ishte 62 vjeç.

Maestroja i origjinalitetit

Krijimtarinë artistike do ta niste qysh i ri. Por para vallëzimit kishte provuar një profesion krejt tjetër. I lindur në korrik të vitit 1954 në Tiranë, pas përfundimit të shkollës fillore u ishte bashkuar punonjësve të ndërtimit. Por në këtë punë nuk do të rrinte shumë.

I kishte rastisur që të punonte para objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit kur edhe kishte rënë në sy të mjeshtrit të koreografisë Panajot Kanaçi. Më pas si 16-vjeçar kishte nisur të luante në skenë, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij.

“U detyrova që në përfundim të tetëvjeçares të hyja në punë që t’i vija në ndihmë familjes. Si të gjithë fëmijët e asaj moshe, të cilët me të mbaruar shkollën punësoheshin ose në fermë ose në ndërtim, unë preferova ndërtimin, pasi dhe fizikisht isha i fuqishëm. Që prej asaj kohe jeta ime ndryshoi krejtësisht, pasi më pas ishte mjeshtri Panajot Kanaçi ai i cili zbuloi talentin tek unë”, kishte rrëfyer ai për Dedin Sulin derisa po përgatiste monografinë për Çelikun, e cila mban titullin “Valltari fluturues” botuar në shtator të viti 2014.

Që prej vitit 1976 ishte zgjedhur solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si valltar, ai dhe Besim Zekthi u bënë dy figurat qendrore të Ansamblit. Sipas të dhënave, Çeliku ka luajtur në rreth 8 mijë paraqitje skenike, përderisa numri i roleve të tij shkon edhe më lart... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme