Kulturë

Stili bohemian në tapiceri nga artisti Jakup Ferri

Descriptive Text

Liria e stilit bohemian e ndërthurur me artin mbi tapiceri që na çon në një botë poetike vjen përmes ekspozitës së artistit kosovar Jakup Ferri për artdashësit në Shqipëri.

“Op op” titullohet ekspozita që ka shoqëruar mbrëmjen e djeshme në çeljen e saj vizitorët dhe artdashësit e shumtë në mjediset e “Tulla Center” ku panë ndërthurjen e artit mbi tapiceri si një mozaik ngjyrash, transmeton atsh.

Kjo ekspozitë paraqet punën më të re të Ferrit të prodhuar në tapiceri. Për anën teknike dhe realizimin e mozaikut Ferri bashkëpunoi me Fatos Kabashin dhe 8 asistentë të tjerë.

Ferri është i njohur për vizatimet e tij në dukje të sinqerta në letër, qelq, madje edhe në mure.

Ai është pjesë e një brezi të ri artistësh të cilët si rezultat i ekspozitave ndërkombëtare dhe programeve rezidenciale, jetojnë një ekzistencë nomade. Puna e Ferrit karakterizohet nga thjeshtësia dhe çiltërsia, duke portretizuar njerëzit në izolimin e tyre, të tjetërsuar nga mjedisi i tyre.

Vitet e fundit Ferri ka hulumtuar teknikat e ndryshme artizanale të përdorura në artin dhe pikturat autoktone popullore. Ai i kushton rëndësi të madhe natyrës autentike dhe të parafinuar të këtyre veprave.

Kurioziteti i Jakup Ferrit u ngjall kur në moshë të re ra në kontakt me artet tradicionale të tekstilit të punuar me dorë.

Këto punime janë të inspiruara dhe të mbushura me kujtime të rinisë së tij në Kosovë. Një temë e përbashkët në punën e tij është edhe dëshira për të pasur një ndjenjë solidariteti me familjen, miqtë dhe shokët e tij të shpirtit.

Jakup Ferri i lindur në vitin 1981, në Prishtinë, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe Rijksakademy në Amsterdam. Në vitin 2008, Jakup Ferri mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, ndër të tjera: U-TURN Quadrennial for Contemporary Art Copenhagen, Istanbul Biennal dhe De Hallen në Haarlem.

Ekspozita me këto punime të veçanta do të vazhdojë të qëndroj e hapur deri më datë 3 shkurt në Tulla Center.

Image