Kulturë

Në Gjilan nis edhe zyrtarisht manifestimi kulturor “Flaka e Janarit”

Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit si dhe Fitore Malaj, përfaqësuese e familjes së heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha kanë ndezur flakadanin e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” i cili shënon edhe nisjen zyrtare të këtij manifestimi për 27 herë me radhë.

kulturor “Flaka e Janarit” këtë vit do t’i kushtohet heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes së tij, raporton Koha Ditore.

Fitore Malaj e bija e dëshmorit Rexhep Malaj ka deklaruar se qyteti i Gjilanit po i kujton dy dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha në 34 vjetorin e vrasjes së tyre në përballje me forcat jugosllave në Prishtinë.

“Në emër të dy familjeve, familjes Berisha dhe familjes Malaj e falënderojmë komunën e Gjilanit e cila sot nisi aktivitetin për ‘Flakën e Janarit’. Sot u ndezën këta flakadanë ashtu siç para 34 viteve u ndezën Nuhi Berisha me Rexhep Malen së bashku. Ne si familje ndjehemi të nderuara për respektin i cili bënë qyteti dhe tërë Kosova heronjve tanë”, ka thënë ajo.

Ndërsa Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit ka deklaruar se do të përmbushet aktiviteti kulturor i paraparë për këtë manifestim.

“Gjatë gjithë muajit do të angazhohemi që kalendarin me realizu ashtu siç është traditë në të gjitha shtyllat kulturore duke respektuar në nivel kombëtar veprat e dëshmorëve dhe heronjve. Ky vit i përkushtohet 550 vjetorit të Skënderbeut, 50 vjetorin e lëvizjes dhe demonstrative për Flamurin e Skënderbeut dhe gjithë atyre dëshmorëve dhe veprimtarëve që dhanë jetën për liri”, ka thënë ai, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Gjilan.