Kulturë

“Babai” i sinkronizuar në gjermanisht shfaqet në ARTE

Filmi i cili trajton fatin e një kosovari në vitet ’90 që migron ilegalisht në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë do të shfaqet në televizionin e njohur francezo-gjerman.

“Babai” me regji e skenar të Visar Morinës, të mërkurën do të fillojë të transmetohet në kanalin ARTE, me fillim prej orës 23:10. Val Maloku, i cili portretizon Norin në film, babai i tij Gëzimi (Astrit Kabashi) dhe gjithë kasta e aktorëve flasin gjermanisht, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo për shkak të sinkronizimit që i ka bërë televizioni gjerman. Për shkak se skenari në disa raste ka shprehje tipike kosovare, në sinkronizim filmi, sipas Morinës, ka humbur pak vlerën. Megjithatë, ai është i lumtur që audienca gjermane do të ketë rastin të shohë filmin e tij, i cili është vlerësuar në festivale të kategorisë “A”.

Në korrik të 2015-s në “München Film Festival”, ku u dha premierë botërore, mori çmimet për skenarin e regjinë më të mirë, përderisa Val Maloku e Astrit Kabashi morën çmimet për aktorët më të mirë. Në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary, pak ditë pas këtij suksesi, do të merrte çmimin për regjinë më të mirë dhe atë “Europa Cinema Label”.

Ky film më 2015 ishte propozim i Kosovës për nominim për “Oscar” në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte bashkëfinancuar me 200 mijë euro... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)