Kulturë

2017-a e kapërcimit të kufijve me kulturë

Ashtu sikurse më 2016, edhe në vitin 2017 ishte kinematografia ajo që ia dha vulën më me vlerë artit kosovar në botë.

Filmi “Home”, që shtjellon në ekran fatin e refugjatëve në pikëpamje universale, ka shënuar një tjetër kthesë historike për kinematografinë kosovare, duke marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër britanik në ceremoninë prestigjioze “Bafta”, shkruan “Koha Ditore”.

Suksesi i filmit nën regji të Daniel Mulloyt - bashkëprodhim mes Kosovës e Britanisë së Madhe – erdhi tre muaj pas nominimit për “European Film Award” dhe një vit pasi që filmi “Shok” u nominua për “Oscar”. Kësisoj ekipi i filmit “Home” solli për herë të parë një trofe të “Baftas” në Kosovë. Filmi tjetër “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiraj ka nisur t’i korrë sukseset e para. Në dhjetor mori dy çmime në “Tallin Black Nighs Film Festival” në Estoni, atje ku edhe pati premierën botërore.

Një aktor i ri, por tejet premtues është shfaqur në role të reja. Roli në filmin që bazohet në ngjarje të vërteta nga Lufta e Dytë Botërore, aktorin e ri kosovar, Val Maloku, e ka çuar në vendin e ëndrrave të secilit që merret me film - Hollywood. Premiera në Hollywood e filmit “The Zookeeper’s Wife” u dha në mars dy javë pas asaj botërore në Poloni.

Në Varshavë, Maloku kishte marrë vëmendje duke pozuar përkrah aktores me nam, Jessica Chastain. Por jo vetëm kinematografia – edhe pse deri më tash nëpërmjet saj Kosova njihet më së shumti sa i përket artit – ka shënuar momente suksesi për shtetin më të ri të Evropës. Artistët kosovarë ia kanë dalë të dëshmojnë një vend me rreth 10 mijë e 800 kilometra katrorë që ruan e çon përpara vlera arti.

Skenat botërore për këngëtarët shqiptarë

Roli kryesor i operës “Fausti”, në skenën e Operës Kombëtare të Izraelit, ka qenë një prej sfidave me të cilat është përballur tenori nga Kosova, Ramë Lahaj. Është mirëpritur me interpretimin e tij në mars. Por zëri i tenorit nga Istogu gjatë tërë vitit është angazhuar në skena me nam.

Lahaj ka qenë edhe mysafir i yllit të skenave operistike Placido Domingo në Meksikë. Në nëntor është ngjitur edhe në skenën e teatrit “Bolshoi” në Moskë në rolin e Alfredo Germont në operën “La Traviata”.

E sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi-Halimi, e cila po bën karrierë në Gjermani, tashmë është dëshmuar për potencialin vokal. Në nëntor në Gjermani ajo portretizoi Gretelën në operën “Hansel and Gretel”, e cila bazohet në përrallën me të njëjtin titull të vëllezërve Grimm. Ky rol që erdhi pas shumë interpretimeve gjatë vitit bëri që ajo të vlerësohet lart si artiste e operave botërore... (më gjerësisht lexoni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)