Kulturë

Pyetjet mbi fatin e njeriut bashkojnë artistët motër e vëlla

Alketa Xhafa-Mripa nëpërmjet telefonit flet nga Londra. Vëllai i saj, Sislej Xhafa, nga New Yorku. Shqipja s’është gjuha e vetme e tyre e përbashkët. Është edhe ajo e artit.

Sivjet ka diçka të ngjashme në veprat që ia kanë prezantuar botës: hijet e së kaluarës që ndjekin shqiptarët, por jo vetëm këtë popull ballkanik, shkruan “Koha Ditore”. Të lindur në Pejë, Alketa Xhafa-Mripa e Sislej Xhafa nëpërmjet veprave të tyre gjatë 2017-s kanë ngritur pyetje për të ardhmen. Krejt këtë e kanë bërë duke pasur për bazë të kaluarën.

Njëri ka ndërkombëtarizuar nëpërmjet artit fatin e personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës së fundit. E tjetra ka trajtuar fatin e refugjatëve, që si pasojë e luftërave janë detyruar t’i lëshojnë vendlindjet. Që të dy në një formë janë refugjatë. Kanë lënë vendin e tyre për të krijuar e ekspozuar gjithandej botës. Sislejt këtë vit pos tjerash i ka rënë të ndalet edhe në Venecia.

Zëri i të pagjeturve në Venecie

Krejt ata që kanë vizituar pavijonet shtetërore të edicionit të sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur në maj dhe e mbyllur në nëntor, janë përballur me kabinën e ngritur nga shteti më i ri i Evropës, Kosova. Pas disa hulumtimeve që kishte bërë, Sislej Xhafa kishte vendosur që të merret me fatin e atyre që janë zhdukur në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Këtë projekt e kishte nisur duke pasur parasysh vlerat njerëzore.

Image

“Për mua personalisht ta trajtoj temën e të pagjeturve në Kosovë ka qenë ndër projektet më të vështira, për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të veprës. Natyra e veprës është e prekshme dhe duhet drejtësi që nuk është duke ndodhur. Duhet ndriçuar vlerën e njeriut si njeri”, thotë Xhafa. Ai njihet si artist që flet pak për veprat e veta me qëllimin që vizitorët ta kenë qasjen individuale vetë në raport me instalacionet. Por ka bërë përjashtim me rastin e “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur) në maj të këtij viti. Gjatë hapjes zyrtare të Pavijonit të Kosovës - e cila sivjet për të tretën herë u prezantua në këtë ngjarje - por edhe më pas derisa ka qenë i pranishëm në qytetin italian, ai është marrë me secilin njeri që ka kërkuar sqarime prej tij. Ka folur në detaje për historinë e të zhdukurve dhe ndërlidhjen që i bën veprës atë që cilësohet ende si plagë e hapur.

Kabinë pa hyrje, boshe dhe pa asgjë tjetër përreth saj ka qenë e hapur për vizitorë deri në nëntor. Ishte konceptuar si zëri i familjeve të 1.664 personave të pagjetur që janë zhdukur në luftë. E ndërtuar me paleta druri që zakonisht përdoren për të bartur mallra, asocionte shumë me bartjet e viktimave që gjatë luftës janë transportuar nga Kosova për në Serbi, e ku janë hedhur kolektivisht në gropa që kanë përfunduar si varre masive... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin festiv të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)