Salih Lutolli dhe grafika e tij onirike

Salih Lutolli dhe grafika e tij onirike

29 dhjetor 2017 21:42

Në takimin tonë të parë në Paris, Sali Lutolli ishte një njeri nga më të zakonshmit e botës. Nuk e njihja. Vinte nga larg, nga lufta, nga një botë kaosi e bombash, reprezaljesh, dhunash. Në vitin 1999, atë fund mijëvjeçari, Lutolli kishte zbritur në tokën e lirisë «France-tokë azili», e megjithatë, syri i tij ishte i vagët, i qullët, i dhimbur, pasi ai shikonte diku gjetkë edhe pse fliste me ty, edhe pse ti ishte ulur ballë tij duke pirë një kafe me të.

Sali Lutolli nuk prezantohej aspak si piktor që kishte një eksperiencë të madhe. Fjala piktor shqiptohej lehtë nëpër dhëmbë. Ishte si një gjysmë i vrarë, në shpirt, i shpëtuar mrekullisht bashkë me të dashurën e tij, e megjithatë ai të ngjante si një njeri i vrarë. Nuk e njihja ende artistin…

Unë isha në Paris, në ambasadë. Miku i ri që ishte shfaqur në portë kërkonte vajzën e tij Leonora, studente e artit dramatik në Universitetin e Prishtinës, Leonorën që thonin se kishte vdekur, se ishte vrarë gjatë një reprezalje të serbëve në kafene “Magic” të Prishtinës. Dhe unë, me të në krahë, nga zyra ime, telefonoja ngado për të ditur se ç’kishte ndodhur dhe nëse kishte ndodhur realisht vdekja e saj, shkruan gazetashqip.

Ai rënkonte pa klithje, pa zë. Vallë ajo ishte vrarë? Si? Përse thonë se është vrarë? Po trupi i saj?… Nuk gjendet? Ah… dhe shpresa e mbante në fillin e perit që nderej nga një cep i horizontit te tjetri. Dora nuk donte të punonte, të vizatonte. Artisti ishte në agoninë e vet. Kosova boshatisej gjithnjë e më shumë.

Në kohën e bastisjeve serbe, ai kishte mundur të shkonte fillimthi drejt Maqedonisë, diku në një kamp të Bllacës, përtej kufirit, një “ferr i vertetë” siç të thoshte ai; pastaj ishte nisur drejt kufijve të Shqipërisë me vajzën e vogël, Beritën e tij. Vetëm kur doli në Qafë Thanë ai mendoi se po fillonte të jetonte, se po fillonte një jetë të dytë edhe pse i plagosur, i vrarë. Por shpejt, qielli i shpirtit të tij do të shkrepëtinte… Eleonorë! Eleonora!…

Dukej sikur zija e kishte ndjekur jetën e tij që nga fëmijëria, pasi kur ishte dy vjeç i kishte vdekur nëna dhe kur ishte tre, kishte vdekur ati i tij. Dhe kështu jetim, bashkë me dy vëllezërit e katër motrat, nga Podujeva ata kishin zbritur në Prishtinë.

Më së fundi ai e la kampin e refugjatëve kosovarë në uzinën “Dinamo” të Tiranës ku qëndroi tre javë dhe u nis drejt Francës, si shumë kosovarë të tjerë. U vendos në periferi të Parisit, në Sucy-en-Brie.

Kërkonte, mbante veshët hapur. Ishte në një mjegull të pafund. Dhe meqë nuk mori asnjë përgjigje nga kërkimet e para, ai rierdhi përsëri te unë, me hapin e tij të rëndë. Një gotë vodka, një raki dhe ai shkonte pastaj diku, në Kosovën e tij imagjinare, duke risjellë në kujtesë gjithçka të asaj jete që ishte ngjizur atje, fëmijëria, rinia, studimet, qëndrimi në Zagreb dhe angazhimet si grafist në televizionin e Prishtinës, pastaj në gazetën dhe botimet Rilindja, demostratat e vitit 1968, të vitit 1981 për “Kosova-Republikë” e më pas ekspozitat, arti, gjer në ekspozitën e fundit në kushte terrori në një restorant të Prishtinës, grafikat e së cilës nuk dihet më ku gjenden.

Po, mbi shpinën e tij ai mbante Kosovën dhe një arkivol që nuk e dinte nëse bija tij ishte aty apo jo. O Zot të ketë jetë!… – dhe ai lutej nëpër dhëmbë, kthente gotën në heshtjen e rëndë plumb dhe ikte… dhe rivinte. Por më pas e harroi vdekjen, ishte arti që trokiste në shpirtin e tij. Dhe arti i tij që rifilloi të gjallojë më befasoi. Si kështu, ky njeri i humbur në dhembjen e tij të ishte një artist kaq i rafinuar e me kaq vlera. Si vallë?…

Ato muaj, në tetor 1999 po përgatisja një ekspozitë me piktorë shqiptarë me kryetarin e Bashkisë së Parisit XI, Georges Sarre, një politikan i rëndësishëm e senator. Dhe midis katër piktorëve shqiptarë mendova se ky piktor do të përfaqësonte me dinjitet Kosovën martire. Kështu, krahas «kokave» të Omer Kaleshit ishin dhe vizatimet e tij që unë i doja shumë. Pas një qëndrimi njëvjeçar Lutolli u largua drejt Malmö-s së Suedisë.

Kalendari i hapjes së ekspozitave në galeritë pariziane ishte afatgjatë dhe piktori nuk priste, edhe pse një kohë punoi për një treg të vogël që pëlqenin pikturën e tij, për ekspozitën e tij në Sucy-en-Brie apo në Chenneviers-sur-Marne. Por Lutolli kërkonte më shumë… Pas gjithë asaj drame dhe i lehtësuar më së fundi se vajza e tij ishte plagosur por nuk kishte vdekur, ai u largua. Unë nuk e pashë më. Nuk e trokita më gotën e rakisë me të.

Tri nuset me tabakatë e ngritur mbi kokat e tyre, majë duarve, në atë grafikë të mrekullueshme që më dhuroi, dhe ku në tri tabakatë ishin vendosur tri koka malsorësh, qëndronte në një kornizë të thjeshtë në muret e shtëpisë si shprehje e miqësisë sonë, duke më risjellë ehot e një legjende simotër të Rozafës së Shkodrës. Dhe ja, njëzet vjet më vonë ne e rigjetëm njëri-tjetrit përmes pikturës. Në ekranin e ordinatorit unë rigjeta vizatimet e tij mahnitëse në sfond legjendash. Ishte artisti me dorën e përkryer të tij.

Ëndrra e dhënë në gjendjen e pastërt

Nëse Lutolli do kishte jetuar në kohën e surealizmit, André Breton do ta merrte në grupin e tij krah Man Ray, Desnos, Yves Tangy, Aragon, Eluard, etj. Salihu u lidh me surealizmin përmes tablove të tij onirike: ishte legjenda, ëndrra, zhgjëndra, ajo çka e çuan drejt asaj bote irreale, por me një forcë shprehëse të jashtëzakonshme… Në fund të fundit, vetë jeta e tij, fëmijëria jetime, ishte më shumë afër kërkimit të dashurisë, magjikes, mistikes, ëndrrës për të rigjetur nënën, atin… dhe kështu, mëkimi i përrallës, legjendës, do të rishfaqej shumë vite më vonë përmes grafikave të tij, ashtu siç kishte ndodhur me Yves Tangy, ku “oneiros”, ëndrra, e cila hyri në fjalorin e surealistëve do t’i shfaqej përmes një serie tablosh që hynë në historinë e artit, siç do të ishin po në këtë frymë dhe tablotë e piktorëve të tjerë shumë të mëdhenj si Dali, Max Ernst, De Chirico apo Marguerite…

Ja “Ura e Fshejt”, e Salih Lutollit, e krijuar më 1997. Një urë e shembur, ndërtimi i së cilës duket sikur një fuqi mistike e shemb. Njerëzit detyrohen ta kalojnë lumin në këmbë, ndërkohë që një re e çuditshme ngrihet lart. Vallë një ndëshkim hyjnish? Ç’është vallë?… Nga larg, kjo urë të kujton ritin e famshëm të sakrificës, atë të Rozafës, të ndërtimit të urës së Artës, etj.

Në grafikën tjetër, një grua shtatzënë, nudo, me një dorë të ngritur lart sikur do të mbajë mbi pëllëmbë një drapër hëne. Në grafikën “Portreti rrugës pa fund”, duket rruga që shkon nëpër rrudhat e tokës dhe sipër saj, mbi ajër qëndron një sy që vëzhgon e sipër syrit një gjysmë rrotë karroje e lashtë sa bota. Eshtë bota që vazhdon rrugën e saj të pafund.

Ja dhe një “Idil” në të njëjtën frymë dhe teknikë vizatimi, tush i zi, gjithnjë, i njëjti format, dy nudo, një djalë e një vajzë, ku mbi vajzën e shtrirë djaloshi është përkulur me një dehje të pafund. Sipër tyre, një drapër-hëne nderet në mesnatë. Ndërkohë, në grafikën “Përtej detit”, është gruaja-shqiponjë me torsin mbi ujët e detit, diku në një breg, me një barkë mbi kokën e saj dhe mbi barkë një kullë malsore. Shumë sy kërkojnë të gjejnë tutje horizontin… një grua-shqiponjë e kohëve të moçme, një Teutë e buzëdetit të një kështjelle apo kalaje martire.

”Mbijetimi” është padyshim nga grafikat më të bukura dhe domethënëse, me një metaforë sa personale aq dhe universale, pasi jeta, e mira, sado e dhunuar, e ndëshkuar, e plagosur, ajo përsëri rilind, bulëzon, edhe pse degët, trungu, të duket i përtharë përjetësisht. Grafika e tij është e thjeshtë, e pa ngarkuar, në një sfond që shkon nga e zeza në të bardhën, me trungun dhe bulëzimin në plan të parë dhe atë grua të shtrirë pas tij, disi të shpërbërë, por me barkun pak të fryrë dhe gjinjtë e përgatitur për mëkimin e ardhmë… Eshtë mbijetimi! Eshtë padyshim një jehonë e vetë fatit të Kosovës, mbijetimit të saj ndaj furive të lashta e moderne.

Për grafikat e Lutollit, ato në bardh e zi apo me ngjyra, mund të shkruash shumë. Madje një etud më vete mbi estetikën e tij do të meritonte tabloja “Autobiografia e një të vdekuri”, pasi Lutolli në këtë grafikë, duket se ka lindur dhe vdekur njëqind herë… Kamare të shumta kokash, një galeri e tërë, ku nacionalja dhe identiteti kombëtar klith në çdo detaj. Një galeri ku kokat janë vendosur një mbi një për të treguar sakrificën e madhe dhe imazhin e një Kosove martire! E kjo është sa onirike aq dhe reale! Po ashtu dhe “1912-a”, me një rrotë karroce në sfond dhe një malsor me shpinë që zgjat hapat e nxiton drejt një kohe tjetër, të lirisë për të qenë i pavarur. Gjetja është e jashtëzakonshme.

Padyshim kisha fat që poezitë e mia në vëllimin poetik «Territoret e shpirtit», të botuar dhe në Francë,«Les Territoires de l’âme», u shoqëruan me vizatimet e Saliut. «Vendos ç’të duash», më tha. Por unë e kisha të vështirë të zgjidhja. Vizatime të mrekullueshme me një imagjinatë që për nga forca më kujtonte një ekspozitë të Dali-së që kisha parë kur kisha zbarkuar fillimthi në Paris, në«Place Vendome», kur kisha parë ato sahate gjigande të lëshuara, të shkrira si nga njëzjarmi e madhe apo jerm, ose më mirë nga koha që shkiste, nga koha që nuk ishte kohë por diçka e papërcaktuar, disi fluide, koha në art, koha në vizatim, koha sipas Sali Lutollit e cila është sa e pakapshme aq dhe e përcaktuar nga dora e tij.

Dhe unë zgjodha pesë grafika. Nuk doja të abuzoja në zemërgjerësinë e piktorit bujar. Vetëm pesë, si intermexo të kapitujve poetikë. Dhe sa herë ktheja fletën e librit ndalesha gjatë mbi ato vizatime, mbi atë finesë të pazakontë, mbi elokuencën e figurës dhe fuqinë e imazhit, simbolit, siç mund ta shohësh në çdo vizatim të tij, madje dhe tek «Balada e gruas», çka duket sa homerike dhe e përngjashme me heroin e tij, Odiseun, aq dhe me baladën shqiptare të pritjes së gjatë, të besës së gruas që dergjet me trupin dhe shpirtin që klith, në pritje të burrit që kthehet nga larg, nga luftrat apo mërgimet e mëdha, duke kapërcyer njëmijë sfida. Ç’kompozim madhështor brenda një vizatimi, ku refleksioni ynë mbi të i kapërcen dimensionet reale duke pushtuar hapësira të mëdha brenda tij.

Pavarësisht nga onirizmi i tij, nga surealja, grafikat e Lutollit, i cili sot jeton në Malmö të Suedisë (ku ai ka hapur një numur të shumtë ekspozitash në disa qytete të këtij i dhe në një mjedis të rafinuar artistik), këto grafika në tush të zi janë të strukturuara mjaft mirë, me një vizatim në perfeksion që na kujton Dürer-in e famshëm, është metafora dhe simboli që mbizotëron, është ëndrra e kapur në gjendjen e pastër por e rivendosur në kuadrin e një ideje. Dhe ne kemi nevojë për ëndrra të tilla.

Image
Image
Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme