Kulturë

Aplikacioni si ciceron nëpër trashëgiminë kulturore të kryeqytetit

Trashëgimia kulturore e kryeqytetit tash e tutje mund të eksplorohet përmes telefonave mobilë. Mjafton që të shkarkohet një aplikacion, që shërben si ciceron për monumente a objekte të tjera kulturore arkitektonike e deri tek peizazhi natyror.

“Trashëgimia Kulturore e Prishtinës” quhet aplikacioni që tashmë e ka lansuar Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Si i tillë, shërben si një lloj databaze, e cila përmes lidhjes me valët satelitore përdoruesit të aplikacionit ia mundëson që të gjejë lokacionin e secilit monument, objekt a lokacion. Aty janë të përmbledhura shënimet bazike për 37 objekte dhe lokalitete.

Përveç gjuhës shqipe, i tërë materiali është i përkthyer edhe në gjuhën angleze. Përmes një shenje të vogël në anën e djathtë të aplikacionit përdoruesi mund të zgjedhë se në cilën gjuhë dëshiron ta përdorë atë.

Ky rrugëtim virtual fillon me “Prishtina dikur”. Aty jepen informacione rreth pozitës, gjetjeve arkeologjike dhe ndryshimeve që ka pësuar gjatë rrjedhës historike. Është edhe një përshkrim i shkurtër për qendrën historike të Prishtinës, dhe se si pas luftës së fundit në vitin 1999 Prishtina e vjetër pothuajse është zhdukur plotësisht, përveç disa lagjeve të cilat ende ruajnë disa nga rrugët e ngushta dhe ndërtesa të rralla.

Pas saj, përdoruesi i aplikacionit mund të gjejë informacione për lokalitetin antik, romak dhe bizantin të “Ulpianës”. Oferta vazhdon nëpër muze, xhami, katedrale, shkolla, biblioteka, shtëpi banimi e galeri... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)