Kulturë

Mustafa Aruçi, 104 vjeçari që i jep jetë grupit “Pleqtë e Krujës”

Mustafa Aruçi dhe pse 104 vjeç përsëri quhet lezeti i grupit “Pleqtë e Krujës”.

Me zërin e tij ka përcjellë traditën krutane për dekada me radhë.

Mustafa Aruçi ose siç e quajnë ndryshe, gjyshi Faja tani 104 vjeç, është i vetmi nga të parët “Pleqtë e Krujës” që vazhdon të jetë jo vetëm ende në jetë, por dhe aktiv në grup.

Zëvendësimi i pleqve me të tjerë bën që kjo traditë të mos vdesë kurrë dhe “Pleqtë e Krujës” ta përcjellin traditën dhe këngët popullore dhe tek brezi i ri .

Në një intervistë për Deutsche Welle, Mustafa Aruçi thotë se “kam hyrë për 105 vjeç dhe hala nuk kam qejf me ju nda edhe këtë 100 vite”.

Ai thotë se “deri në kohën e shpirtit, që të më dalë, dua të më dali me shokë, të mbajmë njëri-tjetrin me nder, të punojmë të gjithë për njëri-tjetrin e njëri për të gjithë”.

Etno-muzikologu Mehmet Llubani thotë se sekreti i jetëgjatësisë së Mustafa Aruçit është muzika pasi siç thonë kompozitorët muzika është ushqim i shpirtit.

“Ai e ka filluar muzikën që me festivalin e parë të folklorit në 1954 kurse në 1957 u bashkua me grupin “Pleqtë e Krujës” ku vazhdon edhe sot”, thotë Llubani.

Dëshira për t’i kënduar traditës krutane mblodhi një grup pleqsh së bashku në vitin 1957.

Mustafa Llubani, Xhemal Kulli, Ali Goga, Latif Nuna, Xhemal e Miftar Hoxha, Ali Hyka, Osman Roshi, Bejte Meneci, Xhemal Dollma, Qamil Qoshja, Et’hem Teta, Hysen Dana, Emin Goci dhe Muharrem Mustafai dhe Jahe Cace e Vogël Taga u mblodhën për të formuar këtë grup.

Ky grup dominohej nga të moshuarit, bartës dhe interpretues të flokut krutan ndaj dhe mori emrin “Pleqtë e Krujës”. Vetë anëtarët e grupit shpjegojnë se emrin grupit ia kanë vënë artdashësit shumë kohë më vonë, pasi ai ishte krijuar.

Në të njëjtën kohë, tregohet se këto bëhen të ditura nga shënimet që i janë gjetur Fadil Tagës. Menjëherë grupi filloi të mblidhej një herë në javë ku dhe bënte prova. Fizionominë e plotë, ky grup e mori në shfaqjen e 1 Majit të 1957 -ës dhe në Festivalin e Dytë Folklorik në Tiranë, ku dhe mori çmimin e tretë. Më pas në vitin 1959, anëtarët realizojnë “Dasmën Krutane”.

Ndërkohë, në vitin 1978 grupi shfaqet në skenë me kostumin origjinal popullor të qytetit të Krujës. Më pas, aktivitetet e tyre shtrihen në gjithë Shqipërinë. Ndërsa pas viteve ’90, ata mundën të dalin dhe jashtë kufirit, duke përcjellë më shumë traditën krutane.

Titujt e nderit të grupit karakteristik

1978 – Është nderuar me çmimin “Laurat i FFK”, Gjirokastër

1983- Është dhënë titulli “Medalja e Naim Frashërit” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

1994- I jepet titulli “Anëtar Nderi” i Shoqatës Lidhja Kulturore Folklorike Skënderbeu, Krujë.

2001-I jepet titulli “Krenaria e qytetit të Krujës” nga Këshilli Bashkiak Krujë.

2003-I jepet “Mirënjohja – Drenas 2002” në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar në Kosovë.

2004 -Për herë të parë i jepet “Çmimi i Karrierës”, në festivalin mbarëkombëtar të Këngës Popullore Qytetare.