Eugent Bushpepa zotohet ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht në “Eurovision”

Eugent Bushpepa zotohet ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht në “Eurovision”

25 dhjetor 2017 10:55

Rock këngëtari i njohur shqiptar, Eugent Bushpepa, është zotuar se do të bëjë më të mirën e mundshme që ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këto deklarata i ka bërë pas natës finale të “Festivalit të Këngës”, ku juria në përbërje prej Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi, Edmond Rapi e ka zgjedhur atë fitues të edicionit të 56-të. Bushpepa ka konkurruar me këngën “Mall”. Vendi i dytë i ka takuar Redon Makashit me këngën “Ekziston”, ndërsa vendi i tretë i takoi këngëtares Inis Neziri me këngën “Piedestal”. Bushpepa vitin e ardhshëm do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 63-të të “Eurovisionit” që mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Këtë vit në Kiev, Shqipëria në këtë garë u përfaqësua nga këngëtarja kosovare Lindita Halimi me këngën “Botë”, e cila nuk u kualifikua për natën finale. E Bushpepa ka thënë se do të japë maksimumin nga vetja.

“Jam shumë i lumtur. Falënderoj Radiotelevizionin Shqiptar, jurinë e cila më mundësoi që të arrij të përfaqësoj në ‘Eurovision’. Do të jap maksimumin. Do të jap më të mirën e mundshme që të përfaqësohemi sa më denjësisht”, citohet të ketë thënë Bushpepa në “RTSH”, i cili pasi që kishte marrë çmimin ishte përcjellë në skenë me duartrokitje e brohoritje të shumta nga publiku. “Mall” është këngë e shkruar dhe e kompozuar nga rockeri i njohur dhe prezantohet si një këngë personale e tij. Në postimin që ka bërë në rrjetin e tij social Facebook para se të zinte vend festivali, ai kishte shkruar se “Mall” “është një konglomerat tingujsh, ndjenjash dhe fjalësh që dikur ishin pjesë e imja”

“Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë”, kishte shkruar Bushpepa.

“Festivali i Këngës” i cili organizohet nga Radiotelevizioni Shqiptar edhe kësaj radhe zuri vend në Pallatin e Kongreseve, që për tri ditë me radhë edhe sa zgjati ky festival ishte i mbushur plot... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme